Emri i Safet Bajrit, i konsideruar kreu i një prej bandave më të rrezikshme kriminale të Shkodrës, është shfaqur sërish të shtunën në mediat belge, këtë herë për arrestimin e tij në Tiranë. Dhe faktikisht, Bajri konsiderohej nga autoritetet belge si një ndër kriminelët më të rrezikshëm të Europës, që ndodhej në majat e klasifikimit të listës së personave më të kërkuar nga policia federale. Duke njoftuar arrestimin e tij në edicionin online, gazeta “L’echo” shkruan se Bajri, që në Bruksel përdorte mbiemrin Rustemi, ishte përpjekur të merrte nën kontroll xhiron e prostitucionit duke mos kursyer aktet e dhunës.

Më 27 shkurt 2015, ai do të arrestohej dhe në fund të procesit gjyqësor, ku u akuzua për vrasje, shantazhe dhe shfrytëzim prostitucioni, u dënua me 22 vjet burg. Por pavarësisht dënimit të rëndë, Bajri u lirua me kusht dhe qershorin e kaluar Zyra për të Huajt në Bruksel e dëboi atë nga vendi. Një lëvizje kjo që shkaktoi një përplasje të ashpër mes zyrës në fjalë dhe Ministrisë belge të Drejtësisë.

Sa i takon arrestimit, “Lesho” shkruan se ai u arrit falë hetimeve të organeve belge të drejtësisë në bashkëpunim me oficerin shqiptar të kontaktit. Një bashkëpunim nga i cili ministri belg i Drejtësisë Koen Gens ka mbetur shumë i kënaqur, vijon gazeta, duke shtuar se drejtësia ka ristrukturuar çështjen në ngarkim të Bajrit duke e ngritur atë sërish. Emri i Bajrit kishte tërhequr vëmendjen e mediave belge shumë më parë.

Më 27 shkurt 2015, “Lavenir” do të shkruante për arrestimin e tij dhe për dy atentate me armë zjarri të kryera në lokalitetet Vilvorde dhe Ganshoren. Në shkrimin në fjalë thuhej se Bajri është përgjegjës për rreth 40 vrasje të kryera nga familja e tij në Shqipëri. Fillimisht, organizata e drejtuar prej tij ishte aktive në veri të Italisë, ku detyronte vajza të reja të ushtronin prostitucion përgjatë një autostrade. Në korrik 2014, policia italiane ndërmorri një operacion masiv kundër bandës dhe që prej atëherë Rustemi dhe vëllai i tij u transferuan në Belgjikë. Brenda një kohe të shkurtër ata u përfshinë në shfrytëzimin e prostitucionit në Gar de Nord dhe lagjen Alhambra.

Gjithashtu, banda kishte qenë aktive edhe në shpërndarjen e drogës dhe në disa raste gjobëvënieje. Në tetor të 2014-s policia federale në Bruksel arrestoi grupin kriminal, duke vënë në pranga vëllezërit Safet dhe Saed Rustemi dhe 3 bashkëpunëtorë. Por jo vetëm kaq, duke e cilësuar një kriminel me të vërtetë të keq, gazeta tjetër “La Dernier Hër” shkruan se për të marrë nën kontroll prostitucionin bashkë me vëllain dhe kushërinjtë e tij Ilir, Bardhyl dhe Dushi Rustemi, ai kreu një sërë veprash të rënda penale si shkatërrim prone, vrasje të mbetur në tentativë, zhvatje dhe trafikim të qënieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin.

Në një shkrim të datës 18 korrik 2018, e njëjta gazetë shkruante se Rustemi kishte pushtuar plazhet e Velipojës, duke publikuar përmes një fotoje edhe hartën e ndarë sipas gazetës belge nga grupet kriminale në veri të Shqipërisë.

/abcnews.al