Fotini Allteni Kokeri është një grua e suksesshme në fushën e filantropisë në SHBA. Ishte viti 1997 kur ajo bashkë me bashkëshortin dhe djalin e saj 2 vjeç vendosën që të largoheshin nga Tirana drejt Amerikës.
E ftuar për herë të parë në studion e “Rudina” në Tv Klan Fotini Allteni Kokeri tregon historinë e saj, nga basketbolliste tashmë në një drejtuese fondacioni që ndihmon qindra e mijëra njerëz në nevojë. Nënë e dy fëmijëve Fotini Allteni Kokeri është padyshim një model force për të gjitha gratë dhe vajzat.
“Jam rritur me shumë dashuri, kemi pasur dy prindër të mrekullueshëm. Isha shumë e përkëdhelur vajzë e vetme e babait tim që më mbante si princeshë, por me kalimin e viteve që shkova në Amerikë unë iu them gjithmonë të gjithëve që unë atje mësova se si qahet. Kur fituam lotarinë askush nuk na tha vështirësitë. Isha unë, ish-burri im dhe djali. Djali ishte 2 vjeç kur u larguam. Unë këtu merresha me basketboll. Isha në Greqi në vitin 1992 duke u munduar që të luaja basketboll atje. Luajta pak me Selanikun, por ishte pengesë pjesa e dokumenteve dhe më pas u larguam në SHBA”, tregon Fotini.
Në një realitet tjetër, të panjohur dhe në kërkim të lumturisë Fotinia u përball me sfida të shumta, por arriti që të integrohej në komunitetin amerikan dhe në fushën e biznesit në sajë të përkushtimit, punës së palodhur dhe raportit të ngushtë me një grua amerikane, e cila më pas do i ndryshonte jetën.
“Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Ka qenë shumë e vështirë që të merrje një shtëpi me qira, po të mos kishe punë askush nuk të jepte shtëpi. Kjo kushërira ime na ndihmoi në fakt që ne të merrnim apartamentin e parë dhe në atë kohë në fakt vëllezërit e Fadil Berishës i gjetën burrit tim një pune. Kështu që atëherë jemi njohur pak me Fadilin dhe pastaj e shtuam shoqërinë më shumë. Më pas erdhi njohja me Helen Kosloski. Unë po shikoja sepse doja që të edukoja fëmijët në shkollat më të mira të New Jersey dhe pyeta këtë kushërirën time se ku janë shkollat më të mira dhe pashë që në shkollat kur ajo më tregoi nuk munda që të përballoja dot çmimet. Por, ishte një ofertë pune me orar të shkurtuar dhe ishte për menaxhimin e pallateve. Mendova që ta provoja njëherë. Çova një aplikim dhe në atë kohë isha shtatzënë me vajzën dhe doja me patjetër që të kisha një apartament të mirë. Kur shkova atje i thashë i thashë asaj që shiko se unë nuk kam punë, por të bëj 2-3 punë që të ta paguaj ty qiranë. Ajo na pa ne kështu si të stresuar dhe na tha që mos u mërzitni do ju ndihmoj unë ju, do të ta jap apartamentin”, shton më tej ajo.
Ishte pikërisht miqësia me Helen Kosloski ajo që do i hapte dyert e jetës dhe të suksesit. Helen ishte një filantrope e njohur dhe themeluese e një prej rrjeteve më të mëdha të bamirësisë siç është “Kosloski Family Foundation”, dhe “Michael J Kosloski Foundation”. Marrëdhënia e Fotini Allteni Kokeri me Helen u kthyer në një raport të ngushtë besimi dhe respekti, saqë sot Fotini është trashëgimtare e fondacionit të madh Kosloski.
“Kur më mori mua Helen në punë ajo kishte 14 pallate dhe duke u ngritur në moshës i shiste pallate një nga një dhe në fund ngeli vetëm me 2. Kjo kompania që i blinte, mua më ofroi një punë dhe unë i thashë dëgjo Helen unë do i bëj këto të dyja, do të t’i menaxhoj pa lekë sepse më ke dhënë dorën dhe asnjëherë nuk kam për të ta harruar. Dhe këtu lindi, ajo tha që unë do të krijoj “Kosloski Family Foundation” dhe ti dhe fëmijët e tu do të jeni trashëgimtarë”, përfundon Fotini./tvklan.al