Në përvjetorë të ngjarjeve apo figurave të rëndësishme të historisë, qeveritë, janë më mikpritëse ndaj kërkesave të artistëve. Është një moment që duhet shfrytëzuar për të ripërtërirë krijimtarinë në gjini të ndryshme pasi përveç dëshirës është edhe shpërblimi financiar. Një rast të tillë sjellë edhe Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut.

Pas dekadash, “Konkursi Mbarëkombëtar i Krijimtarisë Muzikore” i hapur nga Ministria e Kulturës do të prodhojë një opera, një muzikal dhe një balet.

Përpara ky konkurs ka një sfidë të madhe, pjesëmarrjen, që rrezikohet nga kriteri për prezantimin e plotë të veprës nga 60 deri në 120 minuta. Kompozitorët sugjerojnë që ata ti prezantojnë jurisë konceptin e veprës bashkë me një fragment të muzikuar në mes të procesit, juria të shpallë fituesin dhe Ministria e Kulturës bën porosinë.

Sipas tyre, kjo është një praktikë që njihet kudo pasi është kosto intelektuale dhe financiare që të konkurrosh me një vepër të plote dhe në fund ka vetëm një fitues. Dhe kur flasim për fituesit e tillë ishte edhe kandidatura e Hervin Çulit mes katër konkurrentëve. Mirela Kumbaro thotë arsyet që e bën atë drejtor të Teatrit Kombëtar për herë të dytë.

Protestat e çdo të Hëne për rikonstruksion dhe jo shembjen e Teatrit Kombëtar, Ministria e Kulturës i shikon kështu.

– Intervista e plotë e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro

Zonja Ministre para pak javësh me një vendim të qeverisë, Ministrisë së Kulturës iu akordua një fond prej 52 milionë lekësh, shumë e cila do të shfrytëzohet për aktivitete që lidhen me Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut.  Për cilat ngjarje të kulturës do të shfrytëzohet ky fond?

Në kuadrin e një viti që përkon edhe me shumë ngjarje të tjera të rëndësishme, siç është “Viti Evropian i Trashëgimisë Kulturore”, 60 vjetori i pranisë së Shqipërisë në UNESCO,  për të cilin do të kemi një ngjarje të veçantë dhe shumë të rëndësishme, pra të ndërthurura këto me Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe që në qendër kanë historinë dhe kulturën shqiptare, dhe identitetin e saj evropian, ne konceptuam një kalendar aktivitetesh si restaurimi i Memorialit të Skënderbeut në Lezhë, Konkursi Mbarëkombëtar për Muzikën Klasike Bashkëkohore, Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove Shqiptarë kudo që ndodhen e që do të zhvillohet në fund të vitit. Gjithashtu duam të organizojmë një ekspozitë të rëndësishme të dialogjeve mes brezave të artistëve, ndërkohë që Ansambli Popullor është duke organizuar një tur për të kontaktuar gjithë shqiptarët e diasporës, me atë kulturë muzikore që është nostalgji, traditë.

Nga i gjithë ky program për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut  konkursi për muzikën klasike bashkëkohore duket të jetë më i rëndësishmi dhe më i vështiri?

Është e hera e parë që ky konkurs zhvillohet në këtë mënyrë. Është një lloj detyrimi që Ministria e Kulturës duke përfshirë edhe pesë vitet që unë e drejtoj i ka kompozitorëve shqiptarë të muzikës klasike. Nëse kemi nxitur programe që kanë të bëjnë me letërsinë, artet pamore apo me gjini të tjera të artit dhe kulturës, unë besoj që këtu shteti është debitor. Ne vazhdojmë të luajmë sot Prenk Jakovën apo Çesk Zadenë, ndërkohë që të paktën në 30 vitet e fundit nuk ka pasur një investim, një politikë, një mekanizëm, që t’i japë mundësi një brezi tjetër, që do të jetë brezi i kompozitorëve të muzikës klasike shqiptare të së ardhmes. Kjo është arsyeja pse ne prej gjashtë muajsh po punojmë me këtë program, e kemi shpallur konkursin me të gjitha kriteret pasi kemi konsultuar shumë modele ndërkombëtare të kësaj tipologjie konkursesh. Do të kemi tre çmime fitues, në gjininë e operas, muzikalit, baletit dhe që do të shpërblehen me nga 3 milionë lekë për secilën. Shpresojmë të kemi pjesëmarrje, konkurrentë dhe fitues shumë të mirë.

Të krijosh në këto tre gjini, e veçanërisht në opera është një sfidë që mund të rezultojë pozitive ose jo? E keni marrë këtë në konsideratë?

Është sfidë sepse janë gjini të vështira. Kjo është arsyeja sepse ne kemi lënë një periudhë mbi gjashtë muaj, deri në Tetor të këtij viti që është edhe afati për mbledhjen e aplikimeve. Jemi munduar të jemi sa më të konkretë. Konkurruesve iu ofrojmë jo vetëm kohën, shpërblimin dhe kritere të tjera por edhe mundësinë që faza e fundi, pra ajo finale, ku jurisë i duhet të përzgjedhë fituesit të jetë në formën e një koncerti. Krijimtaria do të realizohet nga trupa dhe orkestra e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe fituesit do të jenë pjesë e repertorit në 2019. Do të kemi një juri ndërkombëtarë, të një niveli shumë të lartë sepse edhe kjo është pjesë e dinjitetit që ne duam t’i japim këtij konkursi.

Në kriteret e konkursit, keni përcaktuar një temë, apo është lënë në zgjedhjen e kompozitorëve?

Pavarësisht se konkursi bëhet nën simbolin e Vitit të Skënderbeut janë krijuesit që do të zgjedhin vetë temën, idenë, fabulën, me të cilën do të krijojnë veprën e tyre. Nuk mund të imagjinoj sesi mund të imponojmë një temë në një krijimtari të lirë, qoftë kjo muzikë, pikturë apo çdo gjini tjetër e artit. Ne kemi detyrën të ofrojmë kushtet, mjetet financiare, skenën për ta realizuar atë, krijuesit i takon të bëjë veprën.

Ngjarja e vitit është “Skënderbeu”, por e ditës është “Teatri Kombëtar”. Është ri-konfirmuar Hervin Çuli si drejtor i Teatrit Kombëtar. Çfarë e bëri fituese kandidaturën e tij?

Juria e përbërë nga drejtorë, ish drejtorë të teatrove dhe njerëz të fushës me eksperiencë mbasi gjykoi dhe intervistoi të gjithë kandidatët vendosi dhe më propozoi kandidaturën e Hervin Çulit, ku unë besoj përveç platformës, por edhe aftësia e tij menaxheriale në eksperiencën që akumuloi më këto katër vite, siç tregonte edhe përshkrimi i procesverbalit të jurisë luajti një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në vendimmarrjen përfundimtare. Nuk është e lehtë të drejtosh një teatër publik në të cilin ke edhe dëshirën për të bërë sa më shumë gjëra dhe për të qenë sa më i lirë në krijimtari, në programacion. Por po kështu jemi në një institucion publik ku ka disa rregulla të menaxhimit publik që janë të njëjta si për një teatër edhe për një ndërmarrje publike, dhe në këtë kontekst aftësitë administruese qoftë të burimeve njerëzorë, të parashikimit të buxheteve, të ngritjes së fondeve te treta në ndihmë të institucionit apo ekuilibra që kanë të bëjnë me të rinjtë, me qarkullimin e projekteve, lidhja me teatrot e tjera në Ballkan, janë pak a shumë elementët që e çuan jurinë në atë vendimarrje të cilën unë e mbështeta dhe pastaj e mbështeti edhe kryeministri. Vlerësoj edhe faktin që pati katër pjesëmarrës, të gjithë njerëz te artit, të teatrit që me pjesëmarrjen dhe prezencën e tyre mbeten bashkëpunëtorë shumë të rëndësishëm të teatrit.

I keni ndjekur protestat e artistëve? Së fundmi ata prezantuan edhe një ide-projekt për rikonstruksionin e këtij institucioni që deri më tani vullneti i qeverisë është ta prishë godinën ekzistuese për ndërtimin e një të reje.  

Jo në mënyrë të rregullt, por jam e informuar dhe jam në dijeni të mbledhjes së herëpashershme të një grupi qytetarësh të Tiranës, midis tyre edhe disa njerëz të artit të cilat shprehin pozicionin e  tyre lidhur me teatrin që mbetet më shumë në formën e një shprehjeje dëshire dhe të një opinioni ashtu sikurse ka edhe shumë opinione të tjera të cilat shprehen në forma të ndryshme. Të grumbullohemi në një vend është një mënyre shprehje opinioni, shumë e respektuar, të folurit në një intervistë në një media është një formë tjetër, të shkruarit e një letre, bisedat në tryeza pune, të gjitha këto janë forma të diskutimit dhe shprehjes së opinionit në një shoqëri të lirë siç është Shqipëria. Për ide-projektin të cilin ju i referoheni nuk e kam parë dhe as nuk i është propozuar Ministrisë së Kulturës.

Tv Klan