Kontrolle në Fier, Vlorë e Durrës, disa të shoqëruar

Shpallet në kërkim personi që ndihmoi autorin e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier. Besohet se ekzekutori është larguar nga vendi ku dogji makinën që përdori për atentatin me një mjet tip Audi, i cili është sekuestruar nga uniformat blu. Automjeti ishte i regjistruar në emër të një personi nga Kamza, por ky i fundit ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen.

Sipas tij makinën e ka shitur dhe blutë janë vënë në kërkim të blerësit. Në lidhje me atentatin mafioz janë shoqëruar edhe persona të tjerë që janë marrë në pyetje por më pas janë lënë të lirë. Policia ka ushtruar kontrolle në Fier,Vlorë e Durrës në akset kryesore. Sipas hetuesve bëhet fjalë për vrasës me pagesë ndërsa mësohet se edhe automjeti nga ku u qëllua 42-vjeçari rezulton i vjedhur pak muaj më parë në Greqi, por ende nuk dihet se si ky mjet është futur në vendin tonë.

Hetimet janë përqendruar te pista e hakmarrjes dhe konfliktet e familjes Kastrati. Ka dyshime se objektiv i vrasjes nuk ka qenë Shkëlzen Kastrati, por vëllai i tij Kelment Kastrati. Ky i fundit mendohet se ka qenë i përfshirë në disa ngjarjes kriminale dhe i është bërë edhe njëherë atentat në Janar të vitit 2016 ku mbeti i plagosur.

Klan News