Rama: Leja e qarkullimit merret në e-Albania

Kjo e hënë shënoi edhe rinisjen e aktivitetit për një sërë biznesesh, që janë pjesë e listës së re të lejuar nga qeveria pas pandemisë së COVID-19.

Por ushtrimi i aktivitetit dikton edhe lëhtësim të lëvizjes për punonjësit e këtyre bizneseve. Përmes një video informuese, Kryeministri Rama ka sqaruar edhe mënyrën sesi duhet proceduar.

Leja duhet të merret sërisht në portalin e-Albania, që ka shtuar një shërbim të ri për leje qarkullimi për nevojat e subjekteve, e vlefshme për 7 ditë nga moment i aplikimit.

Janë tre opsione të dedikuara në këtë shërbim për të marrë leje qarkullimi sipas specifikës së biznesve.

Opsioni i parë ka të bëjë me leje për transport për stafin me autobusë ose furgona që çojnë dhe marrin punonjës në punë.

Opsioni 2 i dedikohet lëvizjes për të marrë shërbime të ndryshme private apo publike në çdo kohë brenda fashës së orareve nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 17:30 të pasdites.

Ndërsa opsioni i 3 parashikon marrje leje të veçantë për bizneset që ofrojnë shërbim 24/24.

Shërbimi në e-Albania është i vlefshëm edhe për institucionet shtetërore. Titullari i institucionit duhet të identifikohet në portal si individ, më pas duhet të regjistrojë emrin e institucionit duke përditësuar niptin dhe të dhënat e tjera që kërkohen dhe në fund kryen aplikimin për dhënie leje për qarkullim.

Por kujdes, pasi abuzimi me aplikimet për leje duke zgjedhur seksionin që nuk ju përket do të sjellë bllokimin e biznesit tuaj në sistem.

Ky shërbim në e-Albania vlen për të gjithë ato biznese që operojnë në zonat që shfaqin ende problematike të Covidit, ndërsa në zonat e përcaktuara si të gjelbra, ku hyjnë Dibra, Gjirokastra, Saranda, Konispoli, Himara, Delvina, Finiqi, Prrenjasi, Pogradeci, Librazhdi, si dhe Bashkia e Divjakës lejohet lëvizja e mjeteve private pa autorizim brenda qarkut ose bashkive përkatëse nga ora 09:30-17:30, vetëm me një pasagjer në automjet, i cili duhet të ulet në pjesën e pasme të makinës, i pozicionuar diagonal me drejtuesin e mjetit, sipas protokolleve të miratuara.

Tv Klan