Një rast ndryshoi praktikën e gradave në polici


Një rast ndryshoi praktikën e gradave në polici

23:59 03/08/2021

Efektivi Leonard Ndreka mori titullin kryekomisar nga gjykata, por u apelua nga Policia e Shtetit

Një vendim i dhënë nga Gjykata Administrative e Apelit për t’i dhënë gradën kryekomisar punonjësit Leonard Ndreka, nuk është mirëpritur nga Policia e Shtetit, çka solli dhe vendimin e së hënës që gradat policore të jepen me konkurrim dhe jo me vendim gjykate.

Në vitin 2017 Ndreka me gradën Komisar, ka konkurruar për një gradë më të lartë. Ai kërkonte që të merrte gradën pasardhëse për shkak të viteve të punës si pjesë e uniformave blu, por dhe pozicionit që kryente si shef i komisariatit të policisë në Malësi të Madhe. Kjo kërkesë është rrëzuar nga komisioni i Policisë së Shtetit me argumentimin se Ndreka nuk i plotëson të gjitha kriteret dhe nuk mund të merret parasysh vetëm pozicioni dhe vjetërsia në punë. Ky vendim është dërguar në Gjykatën Administrative në Gjirokastër, ku shkalla e parë por dhe Apeli vendosën që Ndrekës t’i njihet grada kryekomisar. Verdikti i gjykatës së Gjirokastrës nuk është pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila ankimoi vendimin. Ky ankimin erdhi pas shumë vendimeve nga kjo gjykatë, e cila detyronte Policinë e Shtetit t’i njihte gradat punonjësve që iu refuzohej nga komisioni i posaçëm.

Pas disa vendimeve nga togat e zeza, çështja  përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi që gradat nga Inspektor deri në Drejtues të Parë të bëhen nëpërmjet konkurrimit, që përfshin raportet e vlerësimit të punës dhe një provim që teston aftësitë e aplikantëve për të marrë gradën pasardhëse.

Sipas këtij vendimi nga Gjykata e Lartë ndryshohet praktika pothuajse 10-vjeçare që gradat e policisë pasi refuzoheshin nga komisioni i ngritur nga Policia e Shtetit jepeshin nga gjykata. Sipas burimeve mësohet se nga gjykata që ka dhënë më shumë grada policore është Gjykata e Gjirokastrës.

Klan News






Të ngjashme