Zbulon për herë të parë muzeun e dhuratave në Kryeministri

Edi Rama për herë të parë ka ardhur në një rrëfim ndryshe nga ajo që kemi parë në 22 vite në jetën publike dhe politike. Ndryshe, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në ballafaqimin pyetje-përgjigje me gazetarin Blendi Fevziu, që e solli këtë intervistë në “Opinion”, mbrëmjen e së enjtes.

Kryeministri zbuloi aspekte të tij jo vetëm si kryeministër, kryebashkiak e ministër, por edhe në marrëdhënie me bashkëpunëtorët, familjen e gratë e jetës së tij.

Përshkroi karakteret e Ilir Metës, Fatos Nanos, Sali Berishës, me disa ndryshime nga mënyra sesi i solli në “Kurbanin” e tij, por dhe Lulzim Bashën.

Për 3 të parët, pavarësisht dobësive dhe të metave që ju njeh, nuk munguan dhe vlerësimet, por nuk mundi të thotë të njëjtën gjë për kryetarin aktual të Partisë Demokratike.

Në vendimin për të pranuar propozimin e mbështetur dhe nga Nano dhe nga Meta për të kandiduar për kryebashkiak, zbuloi se kishte ndikuar një pjesë nga Princi i Makiavelit.

Akuzat për të atin, se ishte firmëtar për dënimin me vdekje të poetit Havzi Nelaj, i vuri në dyshime si të sajuara politikisht.

Shfaqet krenar se është burri i Linda Ramës dhe historitë me gratë e tjera që ishin pjesë e jetës së tij përpara kësaj martese, nuk i komenton.

Rama e shoqëroi kamerën e “Opinionit” në ambientet e reja të krijuara në Kryeministri, ku zbuloi për herë të parë edhe muzeun për dhuratat qeveritare, duke siguruar se ndryshe nga paraardhësit, ato do të qëndrojnë aty dhe kur ai të jetë larguar nga ajo zyrë.

Kjo ishte pjesa e dytë e një serie intervistash sjellë nga emisioni “Opinion”, me personazhe që kanë dominuar ose kanë qenë protagonistë të jetës politike në 30 vitet e fundit.

Tv Klan