Veliaj: Lojtar dhe trajner i shkëlqyer, frymëzim për të gjithë

Një nga rrugët buzë liqenit të Farkës nga sot ka marr emrin e ikonës së klubit bardheblu dhe kombëtares së futbollit shqiptar, ish-futbollistit dhe trajnerit, Ali Mema. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se është në nderin e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit që të kujtojnë këtë figurë.

“Ali Mema ishte mbi të gjitha qytetar, tirons i mirë, pastaj ishte edhe lojtar, trajner dhe sportist i shkëlqyer. Kam një kënaqësi shumë të madhe që rruga buzë liqenit të Farkës do të ketë emrin e të mrekullueshmit, të dashurit tonë, Ali Memës”.

Kryebashkiaku u shpreh se koha kur Ali Mema shkëlqeu ishte e vështirë, por ai nuk e humbi kurrë dinjitetin, madje shërbeu si frymëzim për breza të tërë.

 “T’i kesh mbijetuar asaj kohe, kur politika sundonte edhe jetën sportive, dhe të kesh ruajtur dinjitetin tënd, duke frymëzuar breza të tërë, është diçka shumë e madhe. Uroj ta mbajmë me nder dhe ta kujtojmë gjithmonë emrin e Ali Memës”.

Ali Mema do të mbahet mend nga sportdashësit shqiptarë si një nga lojtarët më të mëdhenj të brezit ’60-’70 i vlerësuar edhe në arenën ndërkombëtare.

Tv Klan