Policia greke duket se është shumë pranë zbardhjes së ngjarjes së rëndë të disa javëve më parë në Athinë, kur grabitësit vranë brenda shtëpisë së saj një nënë 20-vjeçare në krah të foshnjes 10-muajshe.

Sipas dëshmive të dhëna nga burri 32-vjeçar i viktimës, i cili ishte lidhur nga grabitësit, hetuesit grekë kanë mundur të krijojnë një profil të njërit prej grabitësve që vranë 20-vjeçaren. Bëhet fjalë për udhëheqësin e supozuar të bandës.

Ky person përshkruhet si një burrë rreth moshës 40 vjeç. Ai fliste greqisht, por është dëgjuar teksa përmendte edhe fjalë shqip. Për këtë arsye besohet të jetë shqiptar. Është biond, me flokë të shkurtra, i ashpër dhe i gjatë rreth 1.70 metra.

Ai i urren gratë, i keqtrajton brutalisht dhe nuk heziton të bëjë krim”, thuhet në një raport policor që e ka siguruar televizioni “Star” në Athinë. Sipas këtyre të dhënave, duket se hetuesit grekë e kanë krijuar identitetin e shqiptarit.

Përshkrimi i tij përshtatet edhe me grabitësin i cili 3 vite më parë kishte grabitur trajnerin e pilotit 32-vjeçar, burrit të 20-vjeçares së ndjerë. Policia greke ka edhe një person tjetër të dyshuar, të cilin po e kërkon. Bëhet fjalë për një person të quajtur Jani, për të cilin ka dyshime se bashkëpunon me këtë bandë të grabitësve. /tvklan.al