Sadi Vorpsi ka deklaruar se nuk do të jetë më deputet i Partisë Socialiste pasi ka vendosur që t’ia kalojë stafetën prurjeve të reja. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vorpsi thotë se 4 vitet kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe deputet i PS-së kanë qenë nder për të.

Vorpsi thotë ndër të tjera se ka qenë kryeministri Edi Rama ai që e transformoi selinë rozë nga një parti në opozitë të vështirë në forcën më vendimtare për qeverisjen e vendit. Pavarësisht se nuk do të jetë kandidat, ai shprehet se do të jetë aktiv gjatë fushatës.

Në këtë mënyrë, Vorpsi i bashkohet listës së deputetëve socialistë që kanë vendosur të mos kandidojnë më për t’u hapur vendin të rinjve. E para që vendosi të largohej ishte Vasilika Hysi, e cila u ndoq nga deputeti Besnik Bare.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq, mbështetës e dashamirës!

Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private. T’i sherbeja vendit dhe qytetit tim ka qenë nder dhe privilegj i jetës sime.

Partia Socialiste është jo vetëm shtëpia më e madhe politike, por dhe më përparimtarja e gjithëpërfshirësja. Edi Rama e transformoi nga një parti në opozitë të vështirë, në forcën vendimtare për qeverisjen dhe modernizimin e vendit.

Kam shijuar çdo moment përfaqesimin e komuniteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë.

Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për të gjithë mbështetjen dhe mezi pres të bashkojmë forcat për fitoren e 25 Prillit.

Juaji gjithmonë, Sadi./tvklan.al