Policia mban në vëzhgim dy familjet, i trembet hakmarrjes

Viktor Marku u ndihmua edhe nga bashkëpunëtori i pestë për të kryer vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë. Policia ende nuk e ka bërë publik emrin e të dyshuarit, por dyshimet janë se ai siguroi mjetet për të kryer vrasjen dhe më pas ndihmoi Viktor Markun dhe Gjekson Pusin, për t’u larguar nga Peza, aty ku dogjën makinën.

Pas ekzekutimit, autorët përdoren 2 automjete për t’u larguar drejt Shkodrës, aty ku Viktor Marku shkoi në Mal të Zi, ndërsa Gjekson Pusi në banesën e tij, pasi ndodhej në masë sigurie “Arrest shtëpie”. Personi i pestë që dyshohet si i përfshirë në ngjarje është nga Shkodra. Ai mendohet se është paguar nga Viktor Marku për ta ndihmuar për vrasjen. Hetuesit thonë se edhe Gjekson Pusi gjithashtu mund të jetë paguar nga Viktor Marku, pasi ishin nga një zonë dhe njiheshin prej vitesh.

Ndërkohë burime policore sqarojnë se po mbajnë në vëzhgim familjarët e Hekuran Billës dhe Viktor Markut. Uniformat blu i tremben hakmarrjes së miqve dhe familjarëve të Hekuran Billës, nisur edhe nga disa postime në rrjete sociale, se do marrin hak për vrasjen e Dajës, ashtu siç cilësohej Hekuran Billa.

Deri më tani të arrestuar janë Viktor Marku, Sebastian Mali, Gjekson Pusi dhe Adiola Lakra. Hekuran Billa kishte vetëm 1 vit që doli nga burgu, pasi vuajti dënimin për vrasjen e Prel Markut në Angli, vëllait të Viktor Markut.

Tv Klan