Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, kanë goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore, mes tyre edhe një punonjës policie.

SHÇBA kishte regjistruar një procedim penal mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shtetasve shqiptare dhe të huaj, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë e Maqedonisë në mënyrë ilegale, mes tyre me destinacion final Francën për azil kërkim.

Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal.

Ditën e sotme, strukturat e SHÇBA kanë arrestuar në flagrancë: Artan Ceno, 44 vjeç, punonjës policie me detyrë kontrollor në pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, Korçë; Majlinda Seiti, 52 vjeçe, lindur e banuese në Korçë; Adriano Kocoli, 52 vjeç, lindur e banues në Korçë.

Kundrejt pagesave që varionin nga 6 në 7 mijë euro për person, grupi i dyshuar, krijonte kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj, qytetarë të ndryshëm nga Shqipëria dhe Kosova, në kundërshtim me ligjin, me destinacion Francën për azil kërkim.

Në disa raste, në bashkëpunim me punonjësin e policisë tashmë të arrestuar, kanë kaluar nga kufiri i gjelbër, fëmijë të mitur, të cilët më pas kërkonin azil si të pashoqëruar, në vende të ndryshme të Europës. SHÇBA thotë se hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

Më herët gjatë kësaj jave, në pranga përfunduan edhe dy punonjës së Policisë Kufitare në Gjirokastër. Sëbashku me një qytetar, ata akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. Kundrejt pagesave punonjësit e policisë u siguronin personave kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.

Ndërsa të shtunën, një punonjës i policisë në Portin e Vlorës u arrestua për korrupsion pasiv. Ai i kërkoi para një personi për ta lejuar që të vijonte udhëtimin drejt Italisë, duke pretenduar se nuk përmbushte tërësisht kushtet e kalimit të lirë në Zonën Shengen.

/tvklan.al