Ebrahim Raisi, nën sanksione nga SHBA për ekzekutime politike

Një konservator i linjës së ashpër është zgjedhur President i Iranit në zgjedhjet që u mbajtën të premten. Ebrahim Raisi ka marrë mbi 60% të votave duke lënë pas 3 kandidatë të tjerë të cilët e pranuan rezultatin.

Kleriku 60-vjeçar ka shërbyer në të kaluarën si prokuror, por ndaj tij Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione për shkak të ekzekutimeve të kundërshtarëve politikë të burgosur në vitet ‘80. Presidenti i Iranit është zyrtari i dytë më i lartë në vend, pas udhëheqësit suprem Ajatollahut Ali Khamenei.

Ai ka një ndikim të rëndësishëm në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, por fjalën e fundit e thotë Ajatollahu. Linja e ashpër që ndjek Raisi është kundër shumë lirive shoqërore, por pritet që ai të favorizojë kthimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare mbi veprimtarinë bërthamore të Iranit.

SHBA u tërhoq nga marrëveshja në 2018-ën dhe i vendosi sanksione Iranit duke shkaktuar vështirësi ekonomike për qytetarët dhe një pakënaqësi të gjerë. Bisedimet që synojnë ringjalljen e marrëveshjes janë duke vijuar në Vjenë.

Tv Klan