Evolucionit iu deshën 100 milionë vite për të perfeksionuar  puplat. Shkencëtarët zviceranë kanë gjetur një mënyrë për ta kthyer pas këtë proces në laborator, duke bërë që embrionet e pulave të zhvillojnë pupla të thjeshta njësoj si paraaardhësit e tyre, dinozaurët.

Zogjtë e sotëm kanë pupla të fryra në shtresën e poshtme që i mbajnë ngrohtë dhe pupla të lëmuara për të çarë qiejt.

Zogjtë parahistorikë kishin filamente që më shumë ngjanin si push sesa si pupla.

Në një studim të publikuar në PLOS Biology, shkencëtarët bllokuan një kanal zhvillimi te embrionet e pulave. Kjo  rezultoi në formimin e puplave të thjeshta, të padegëzuara në vend të puplave të ndërlikuara që kanë zogjtë e sotëm.

Ky ndryshim s’ishte i përhershëm.  Zhvillimi i mëtejshëm i embrioneve bëri që efektet e ilaçit të zhdukeshin. Kur zogjtë çelën, ata kishin pjesë lëkure aty ku puplat ishin prekur më së shumti. Nën to ndodheshin folikula të thjeshta, të fjetura.

7 javë pas  çeljes, këto zona bosh u zhdukën dhe dolën pupla të reja. Zogjtë nisën të kishin pupla normale.

Fosilet mund të na tregojn  si dukeshin dinozaurët, por jo mekanizmat gjenetike që sollën evolucionin e puplave. Duke manipuluar këto mekanizma në embrionet e gjalla, shkencëtarët mund të testojnë teoritë sesi ka ndodhur evolucioni./tvklan.al