Brazili po shfaqet si vendi më i goditur në botë nga pandemia ndërsa së fundmi çdo ditë raportohen 79,000 raste të reja me COVID. Ndërkohë shkencëtarët po paralajmërojnë rreth një varianti të ri të virusit, shumë më ngjitës, të quajtur P.1, i cili u shfaq për herë të parë në pyjet e Amazonës, e që mund të jetë një nga më të rrezikshmit në botë. Korrespondenti i Zërin e Amerikës, Edgar Maciel raporton nga San Paulo se spitalet në pjesën dërrmuese të vendit i kanë tejkaluar kapacitetet dhe njerëzit po vdesin pa marrë kurrë trajtim.

Në San Paulo sheh shpesh festa e grumbullime të rinjsh pa maska. Skena të tilla përsëriten në Brazil që pas kalimit të valës së parë të pandemisë. Infeksionet u ulën, vdekjet ranë dhe brazilianët iu kthyen asaj që ata mendonin se do të ishte normalja e re.

Metroja e San Paulos ishte e mbushur plot në fillim të kësaj ndërsa vendi regjistroi më shumë se 290 mijë vdekje që prej fillimit të pandemisë.

Ekspertët e shohin këtë si një “recetë për katastrofë”, në një vend që konsiderohet si një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të mallrave e shërbimeve.

Brazili po përjeton një katastrofë. Në ditët e fundit, më shumë se 23% e të gjitha vdekjeve ditore në botë ndodhën këtu. Dhe ne kemi vetëm 2.7% të popullsisë botërore. Situata në Brazil sot është një kërcënim për publikun global. Nëse qeveritë e vendeve të tjera dhe OBSH-ja nuk e kthejnë vëmendjen e tyre këtu, ne mund të shkaktojmë një katastrofë për të gjithë botën“, thotë epidemiologu Pedro Hallal.

Brazili përbëhet nga 27 njësi administrative federale. Në 26 prej tyre spitalet dhe qendrat shëndetësore janë pothuajse në kolaps.

Në jug të Brazilit, “Zëri i Amerikës” vizitoi Porto Alegren, kryeqyteti i shtetit Rio Grande do Sul. Sistemi shëndetësor këtu ka qenë i mbipopulluar për 22 ditë me radhë. Njerëzit po sëmuren dhe vdesin pa u mjekuar dhe mjekët nuk dinë çfarë të bëjnë për të shpëtuar pacientët. Ky është një nga momentet më të rënda të pandemisë.

Jemi në një situatë shumë të vështirë. Sepse nuk e dimë saktësisht se çfarë na pret. Çdo ditë duket më keq se ajo që iku“, thotë doktor Alexandre Zavascki, specialist i sëmundjeve infektive.

San Paulo, qyteti më i madh i Brazilit, ndodhet në të njëjtën situatë. Nëntë nga dhjetë njësitë e kujdesit intensiv janë tashmë plot. Një numër i madh i pacientëve të sëmurë kanë vdekur pa u vizituar nga një mjek.

Jashtë spitaleve, familjet presin me ditë për ndonjë lajm.

Solla gruan këtu në këtë spital. Nuk e di se si është. I lutem Zotit që ajo të dalë nga kjo situatë. Por është e vështirë. Jam shumë i mërzitur. Është një virus që po shkatërron familjet. Babai im, motra, djali dhe gruaja, të gjithë janë me COVID”, thotë Wagno Silva, familjar i një pacienteje.

Duke u përpjekur të frenojnë kaosin, San Paulo dhe kryeqytetet e tjera anembanë vendit vendosën të mbyllnin bizneset, por kjo nuk ka funksionuar. Pjesa më e madhe e popullsisë nuk po qëndron në shtëpi. Shumë njerëz ende kanë nevojë të dalin për të punuar. Është një zgjedhje e vështirë në një vend që lufton çdo ditë me varfërinë. Njerëzve u duhet të zgjedhin mes mbrojtjes nga pandemia dhe urisë nga ana tjetër.

Ka qenë shumë e vështirë për njerëzit që punojnë në rrugë. Njerëzit më kritikojnë, por unë jam këtu sepse duhet të jem. Nuk kam të ardhura të tjera. Duhet të paguaj qiranë çdo muaj. Nëse qëndroj në shtëpi, unë ose do të vdes nga koronavirusi ose vdes nga uria. Nuk është e lehtë“, thotë Armando Castro, shitës kokoshkash.

Për shumë, faji është i udhëheqjes së vendit që nuk ka investuar sa duhet për vaksinat e për ta menaxhuar më mirë krizën.

Kur skuadra është e keqe është faji i trajnerit. Kështu që këtu në Brazil, faji i takon udhëheqësit më të lartë të vendit. Përveçse nuk ka ndihmuar, presidenti ka penguar luftën kundër koronavirusit. Bolsonaro ishte ai që tha se pandemia po mbaronte. Ai tha është thjesht një grip i lehtë. Ishte presidenti që filloi të përhapte informacione të rreme në lidhje me ilaçet dhe tha se vaksinimi nuk ishte i sigurt“, thotë epidemiologu Pedro Hallal.

Presidenti Jair Bolsonaro ka thënë se vendi ka bërë gjithçka që mundet përballë pandemisë dhe ka kritikuar masat bllokuese, duke thënë se ato i bëjnë më shumë dëm ekonomisë sesa virusit. Ndërkohë, zoti Bolsonaro ka ndërmarrë masa për të shpejtuar blerjen e më shumë vaksinave./VOA