Në fillim të vitit emisioni “Stop” udhëtoi drejt Burrelit, pasi materniteti i këtij qyteti kishte 6 muaj pa mjek gjinekolog. Tani, 10 muaj më vonë, situata nuk ka ndryshuar. Që nga 1 Gushti 2016, vendlindja e banorëve më të rinj të Burrelit është Tirana ose Lezha.

Në Janar drejtori i Spitalit kishte deklaruar se për situatën ishte vënë në dijeni Ministria e Shëndetësisë, por zgjidhje nuk ishte dhënë. Kryeinfermierja Eglantina Bushi pohon se salla e lindjeve funksionon vetëm për raste emergjente. Por edhe për një grafi qytetarët nisen drejt Lezhës apo Tiranës.

Në Janar të vitit 2017 transmetoi gjendjen e spitalit “Xhavit Mara” në Burrel, i cili që prej muajit Gusht 2016 nuk ka patur gjinekolog.

Drejtori Dritan Leli tha se Ministria e Shëndetësisë ishte njoftuar për mungesën e mjekut obstetër/gjinekolog, por nuk ishte gjetur ende një zgjidhje.

“Drejtoria jonë ka marrë të gjitha masat, duke kontaktuar me shkresa zyrtare me Ministrinë, duke njoftuar për të gjithë problematikën dhe jemi përpjekur vetë, duke kontaktuar mjekë të ndryshëm, por deri në këtë moment nuk kemi patur një reagim pozitiv.”

Përsa i përket riskut të pacientëve që duhet të udhëtojnë drejt Lezhës apo Tiranës për t’u ekzaminuar, ai u shpreh se banorët e Burrelit janë vënë në dijeni nëpërmjet televizonit lokal që të marrin masa parakprake sepse spitali nuk ka mjekun obstetër.

Drejtori Leli iu bëri thirrje të gjithë mjekëve që të bëhen humanë dhe të ndihmojnë spitalin, duke iu premtuar kushtet më të mira të bashkëpunimit deri në gjetjen e një mjeku stabël.

Gazetarja e emisionit “STOP” rikthehet pas 10 muajsh në Burrel për të parë nëse shqetësimi është zgjidhur dhe spitali “Xhavit Mara” ka një mjek obstetër/gjinekolog.

Kryeinfermierja Eglantina Bushi shprehet se spitali prej disa kohësh e ka një mjeke obstetre dhe disa mami, të cilat ofrojnë shërbimin në sallën e lindjes vetëm kur janë raste emergjente, pasi mjekja nuk pranon lindjen për shkak të kushteve të spitalit.

“Doktoresha nuk ka preferuar të bëjë operacione apo lindje për arsyet që i ka thënë vetë…”

Këtë e pohon edhe shefi i spitalit, Selam Duka, i cili thotë se mjekja obstetre, Tatjana Milo, ka ardhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe liston pretendimet e saj.

“E para: ‘Unë lindjet i pres pa asnjë problem, ndërsa lindjet që mund të kenë peripeci nuk pres asnjë. Dua mjek tjetër obstetër, që të jemi dy veta, dua një mjek neonat, që përgjigjet për fëmijën pasi lind. Dua dhe sallën e operacionit gati se mund të na ndodhë çdo gjë’. E dyta: ajo nuk ka marrë përsipër shërbimin 24 orësh në rrethin e Matit, pasi pas orës 16:00 ajo shkon në shtëpi në Tiranë. Kështu që në pothuajse jemi të pambuluar, 16 orë plus të shtuna dhe të diela.”

Duka shprehet se spitali nuk mund të qëndrojë pa mjek obstetër. Pra, duhet sërish ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi shërbimi i spitalit duhet të ofrohet në çdo ditë e orar të mundshëm. Gjithashtu duhet të investohet për sallën e lindjeve sepse kushtet janë të papërshtatshme për lindjen e një  foshnje.

/ tvklan.al