Banorët ende pa strehë, në Durrës pallatet akoma presin ekspertizën

Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 la pas 51 viktima, por edhe mijëra të pastrehë, të cilët janë ende në pritje të rindërtimit të banesave të tyre. Me qindra banorë të tjerë jetojnë me frikën për t’u rikthyer në pallatet e tyre, pasi ata dyshojnë se akt ekspertizat nuk janë kryer si duhet. Në vlerësimin e parë, këto objekte u shpallën të pabanueshme, por në vlerësimin e fundit ky pallat u vlerësua DS3. Në llogaritë e këtyre banorëve janë hedhur 500 mijë lekë për të bërë riparimet e dëmit.

Edhe në lagjen numër 5 në Durrës banorët e dy pallateve kanë kundërshtuar akt ekspertizat që Instituti i Ndërtimit u ka bërë objekteve. Madje në muajin Korrik, Bashkia e Durrësit u ka ndërprerë bonusin e qirasë, pasi pallatet u shpallën të banueshëm dhe u kërkoi banorëve të ktheheshin në apartamentet e tyre.

E njëjta situatë u ndoq edhe për banorët e pallatit nr.8 në rrugën “Stefan Dhima”, objekt i ndërtuar nga shoqëria ndërtuese “Ndregjoni” sh.p.k.  Por familjarët iu drejtuan organit të akuzës dhe kërkuan një ekspertizë të thelluar. Sipas ekspertëve, pallati ka inkinim dhe mënjani të objektit në disa drejtime.

Avokati i banorëve të këtij pallati, më 13 Nëntor i ka kërkuar Bashkisë së Durrësit t’u paguajë bonusin e qirasë pas ndërprerjes që u kanë bërë disa muaj më parë. Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka deklaruar se ekspertizë të thelluara duan me dhjetëra pallate, ndërsa bonusi i qirasë për banorët do të vijojë. Në qytetin e Durrësit janë me dhjetëra objekte që janë shembur për t’u ndërtuar nga e para. Por banorët thonë se nuk e dinë kur do të nisi puna. Sipas Kryetares Sako, puna ka nisur për dy pallatet e para, pranë qendrës së qyteti.

Në Thumanë puna ka avancuar për ndërtimin e banesave private të shkatërruara nga tërmeti. Ndërkohë që në Bubq, pjesë e Bashkisë së Krujës, banorët ankohen se janë lënë në mëshirë të fatit. Ata kundërshtojnë grumbullimin e tyre në qendër të fshatit, pasi nuk duan të lenë tokën dhe shtëpinë e duan po aty. Më të paqartë për fatin e banesave të tyre janë emigrantët.

Edhe këto vila kishin dëmtime të shumta në strukturë. Por nga vlerësimi që u është bërë ato janë klasifikuar DS3.     

Pronari po i përforcon për të mos i shembur se ka punuar një jetë në emigracion.

Një vit pas tërmetit, ajo që është e sigurt është kakofonia e shifrave dhe akt ekspertimeve. Ndërkohë që fajtor për cilësinë e punimeve dhe të materialeve të ndërtimit nuk ka ende.

Klan Plus