santo

Në 26 Qershor të një viti më parë u vra biznesmeni dhe bankieri i njohur Artan Santo. Kur ka kaluar 1 vit nga kjo ngjarje, që troditi rëndë sigurinë në vend, Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë të arrestuar, asnjë person të dyshuar si autor i kësaj ngjarje.

Santo u qëllua në kohën kur po hynte në zyrën e tij, në zonën e bllokut në Tiranë.  Menjëherë pas ngajrjes së rëndë, në zemër të kryqytetit, të gjithë drejtuesit e institucioneve të sigurisë në vend, u angazhuan në zbardhjen e motiveve dhe autorëve të këtij krimit.

Por kur ka kaluar kaq kohë, Policia, Prokuroria dhe Shërbimi Informative Kombëtar, nuk kanë mundur të identifikojnë askënd si të dyshuar për këtë vrasje. Disa pista hetimi janë ngritur nga Prokuroria e Tiranës.

Njëra është ajo e transaksioneve bankare, që Artan Santo ka kryer nëpërmjet bankës që drejtonte prej vitesh. Por nuk janë lënë jashtë vëmendjes edhe pista si ajo e konflikteve për shkak të biznesve që zotëronte, apo ishte aksioner, bankieri i njohur brenda dhe jashtë vendit.

Qershorin e kaluar u ndaluan dy kushurinj nga Fushë-Kruja, si persona që kishin dijeni. Por pas disa javë hetimi, ata u lanë të lirë nga gjykata, pasi nuk u gjet asnjë fakt që i lidhte ata me ngjarjen.

Në vendin ku u vra 58 – vjeçari, një vit më pas gjen lule, të cilat janë vendosur aty nga miq, të afërm dhe familjarë të Artan Santos.

Një vit më parë pati takime intensive mes drejtuesëve të Prokurorisë, Policisë dhe SHISH. Drejtuesit e këtyre institucioneve, në atë kohë thanë se ishte një ngjarje mjaft e vështirë për t’u zbrardhur dhe kur ka kaluar një vit nga vrasja, ka rezultuar vërtet e tillë.

Asnjë i ndaluar apo arrestuar deri tani.

Tv Klan