Një vit pas ndarjes nga jeta të Mirush Kabashit, figura e tij përkujtohet me një monografi, dokumentar dhe ekspozitë kushtuar aktorit të madh.
“Mirush Kabashi, Sokrati shqiptar” titullohej monografia kushtuar aktorit të jashtëzakonshëm dhe mjaft të dashur për publikun shqiptar, e cila u prezantua në sallën e Universitetit të Arteve ku nuk kishin se si të mungonin përfaqësues të artit dhe familjarë të tij. Mes emocionesh, për mikrofonin e “Rudina” në Tv Klan, e bija e aktorit, Mendi Kabashi, e cilësoi babain e saj një yll të paharruar që i ka dhënë shumë artit.
“Dridhemi nga emocionet, na duket akoma si një ëndërr. Është aq bukur që ndër breza Mirush Kabashi është gdhendur në histori dhe do të jetë gjithmonë aty. Kur ne të kalojmë tek Parku i Liqenit, ime më tashmë vetëm do i kujtojë me nipërit me mbesat dhe me ne. Është vërtetë një ëndërr e bërë realitet. E bëra me shumë dëshirë dhe me një përgjegjësi të madhe, por më vjen mirë që arrita ta çoja deri në fund sepse emocioni ishte shumë i madh.”
Në nder të tij me propozim të kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj dhe me miratim të Këshillit Bashkiak, Amfiteatri i Liqenit Artificial do të mbajë emrin “Mirush Kabashi”.
Duke shijuar ekspozitën dhe dokumentarin, familjarë dhe artistë u zhytën në kujtimet me artistin e madh. Për Bujar Kapexhiun, Mirush Kabashi ishte unik për mënyrën se si vepronte me personazhin.
“Ishte një natë emocionuese, një rikujtim me artistin e madh, i cili ka dhënë aq shumë për kinematografinë dhe skenën shqiptare.”
Arti që Mirush Kabashi la pas është pasuri më e madhe që trashëgon shoqëria jonë, ndërsa interpretimet e tij artistike do të mbeten padyshim të gdhendura në zemrat e çdo shqiptari./tvklan.al