Ai ishte figurë e njohur që ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Një kritik dhe historian arti, i cili u nda nga jeta një vit më parë. Bëhet fjalë për Gëzim Qëndron.

Në kujtim të tij, në 1-vjetorin e largimit nga jeta është realizuar një dokumentar i titulluar “Enigma Kinostudio”, një studim i nisur nga vetë Qëndro, bazuar në librin e tij “Kinostudio Shqipëria e vjetër”.

Për të folur rreth këtij dokumentari dhe viteve që ka kaluar përkrah Gëzimit, ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, bashkëshortja e tij, gazetarja e kulturës, Arta Marku. E përlotur Marku foli edhe për mungesën që ndjen për humbjen e bashkëshortit, teksa shtoi se ende jeton me ndjesinë se kur të shkojë në shtëpi do të flasë me të për gjërat që kanë ndodhur.

“Ne nuk flisnim për historinë tonë, e ruanim për vete. Ishte një lloj supersticioni. Ka qenë një vit i vështirë pa Gëzimin, nuk është e thjeshtë të mësohesh me disa mungesa. Unë ende kam një ndjesi që të shkoj të hap celularin se mos më ka ardhur ndonjë mesazh. E kam gjithmonë ndjesinë që do të kthehem në shtëpi dhe do t’i tregoj Gëzimit gjërat që më kanë ndodhur sepse kështu ndodhte gjithmonë më përpara. Ende nuk e perceptoj humbjen, ndoshta edhe për faktin se kam edhe shumë gjëra për të bërë. Ka shumë shkrime që kanë mbetur për t’u botuar, janë fillesat e librave që Gëzimi kishte bërë. Kjo është një detyrë që unë kam dhe më mban në komunikim me Gëzimin në njëfarë mënyre. Gëzimi është takimi me njeriun ideal në jetën time. Kam qenë gjithmonë shumë krenare që e kam njohur. Jam e gëzuar që e pata”,

tha Marku.

Gjatë emisionit Marku foli edhe për dokumentarin “Enigma kinostudio”, që është një studim mbi ndërtesën e Kinostudios, që analizon gjuhën arkitektonike të saj.

“Libri titullohet “Kinostudio Shqipëria e vjetër” dhe dokumentari “Enigma kinostudio”. Libri flet për një ndërtesë të realizmit socialist që duhej të respektonte pikë për pikë metodën e realizmit socialist dhe që nuk e ka bërë këtë gjë, por ka vjedhur ikonografinë e krishterë. Pra elementët me të cilët flet Kinostudio si ndërtesë janë të krahasueshme me një kishë. Siç janë planimetria në formë kryqi apo kupola në pikëprerjen e dy krahëve të kryqit. Në vitin 1952 nuk ka qenë aq e fuqishme lufta ndaj kishave apo xhamive. Kur ato u shembën, kupola e kinostudios ka qenë gjithë kohën në errësirë dhe për t’u parë duhej ndriçim artificial. Dhe kur ai shkruajti librin e Kinostudios, kishte në mendje një dokumentar”,

u shpreh Marku.

/tvklan.al