Rubrika më e re e emisionit “Rudina” në Tv Klan, “Dekadat e jetës sime” startoi pasditen e kësaj të mërkure. E ftuara e parë e kësaj rubrike të re ishte sipërmarrësja Teuta Doçi.

Në çdo tabelë që shënonte dekadat e saj ishte nga pas e shënuar ngjarja më e rëndësishme. Dekada e 5-të e Tetuta Doçit u sprovua nga një sfidë e madhe. Një vizitë mjekësore zbuloi më pas një sëmundje kanceroze me të cilën sipërmarrësja duhet të luftonte.

Rudina Magjistari: Shkojmë tek dekada e 5-të e jetës së Teuta Doçit, vitet nga 40 e deri tek të 50-at. Pas kësaj tabele është shënuar “Një vizitë tek mjeku që solli sfidën më të madhe të jetë sime”. Çfarë ka ndodhur Teuta?

Teuta Doçi: Sfidat lidhen në përgjithësi, kur ti quan sfidë diçka të cilën e përballon dhe që e tejkalon atë. Unë nga një kontroll u përballa me një sëmundje, diagnostikim që e kam thënë. Është sëmundja kanceroze e një organi të cilën mendoj se e kam kapërcyer dhe që nuk kam besuar kurrë që kjo do të ishte një pengesë për të jetuar ose për të rënë në dëshpërim.

Por, sëmundja e rëndë nuk arriti kurrsesi të mposhte forcën dhe kurajën e Teuta Doçit. Ajo tregon se para operacionit vendosi që të bënte një foto, si shenjë e një kujtimi apo edhe e një përballjeje me dëshpërimin.

Teuta Doçi: Unë kam dëshiruar që para ndërhyrjes që do të bëja, pas 2 minutash do të hyja në sallë dhe ishte një ndërhyrje goxha e vështirë, të bëja një foto me fëmijët dhe bashkëshortin tim. Doja ta kisha sepse nuk e dija nëse do të dilja apo nuk do të dilja dhe lyeva edhe buzët e kuqe dhe thashë që dua të dal bukur. Kijeni këtë kujtim, ata janë të ngërdheshur kot nga sikleti, por unë në fakt e doja. Njeriu duhet të përballet me atë që i vjen. Prandaj në një moment të caktuar marrin një lajm të tillë, vetëm të mos dëshpërohen. Dëshpërimi nuk të çon asgjëkund. Shijojeni jetën njësoj./tvklan.al