Njerëz të gjakosur që kërkojnë për të afërmit, pamjet rrëqethëse nga Bejruti


Njerëz të gjakosur që kërkojnë për të afërmit, pamjet rrëqethëse nga Bejruti

21:33 04/08/2020

Të paktën 7 të vdekur dhe rreth 4000 të plagosur

Të paktën 70 persona kanë mbetur të vrarë dhe rreth 4000 të tjerë të plagosur në shpërthimet që tronditën këtë të martë Libanin. Numri pritet të rritet nga momenti në moment.

Një shpërthim masiv pranë qendrës së Bejrutit lëkundi të gjithë kryeqytetin libanez duke thyer xhama dhe duke bërë që ballkonet e ndërtesave të shembeshin. Shpërthimi më i fuqishëm që ka goditur Bejrutin vitet e fundit e lëkundi kaq shumë tokën sa banorët menduan se ra tërmet.

Pamjet që vijnë nga vendngjarja janë rrëqethëse. Njerëz të plagosur të mbuluar nga gjaku, të cilët të dëshpëruar kërkojnë për të afërmit e tyre, ndërsa spitalet janë tejmbushur.  

Zyrtarët thonë se shkak për shpërthimin që ndodhi në zonën e portit dyshohet të jetë një material tejet shpërthyes i magazinuar prej 6 vitesh në këtë zonë.

Në një reagim në Twitter, Presidenti Michel Aoun e cilësoi të pa pranueshme që 2,750 ton nitrat amoniumi u depozitua pa asnjë lloj sigurie. Nitrat amoniumi është një kristalinë e bardhë solide që përdoret si fertilizues dhe si përbërës në disa eksplozivë.

Për zbardhjen e shkakut të shpërthimit vdekjeprurës kanë nisur hetimet.

Ndërkohë, numri i lartë i të plagosurve ka bërë që spitalet në vend të mbushen përtej kapaciteteve. Mediat ndërkombëtare raportojnë se disa të plagosurve u është kërkuar që të largohen për shkak se nuk ka më vend.

Përveç shpërthimit të ndodhur në qendër të qytetit, disa shpërthime të tjera u raportuan nëpër Bejrut.

Kryeministri i vendit në një dalje për mediat kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për të përballuar këtë situatë.

“I bëj një apel urgjent të gjitha shteteve mike dhe vëllazërore… të qëndrojnë krah Libanit dhe të na ndihmojnë që të shërojmë plagët e rënda që kemi marrë“, tha Hassan Diab.

“Është një katastrofë masive kombëtare. Personat përgjegjës për këtë katastrofë do të paguajnë çmimin e merituar. Ky është një premtim për të vdekurit dhe të plagosurit”, theksoi kryeministri i vendit.

Shumë prej liderëve botërorë kanë reaguar për ngjarjen e rëndë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre në përballimin e kësaj situate.

Ngjarja vjen në një kohë sensitive për Libanin, ku kriza ekonomike ka rindezur ndasitë e vjetra. Tensionet janë gjithashtu të larta për shkak të verdiktit final që pritet të jepet të premten, në gjyqin për 4 të akuzuarit për vrasjen e ish-Kryeministrit Rafik Hariri, në 2005-n./tvklan.al





Të ngjashme