Disa ditë më parë, Spanja dhe Portugalia u gjendën në errësirë totale për shkak të shkëputjes së elektricitetit. Ndërprerja e energjisë elektrike nxori jashtë përdorimit trenat, ashensorët dhe shkaktoi rrëmujë e panik në jetën e qytetarëve.
Fjorza Mullahaj, ekspertja e njohur e kristaleve, e ka përjetuar gjendjen e jashtëzakonshme të atyre ditëve pasi ndodhej në udhëtim me familjen e saj. Ajo tregon në “Rudina” në Tv Klan orët e para të shkëputjes së energjisë dhe çfarë u vu re si fillim.
Fjorza Mullahaj: Së pari, ne na favorizoi shumë fakti që unë doja me patjetër të shkoja në një kafe që konsiderohet një nga kafetë më të bukura në botë dhe doja ta nisja ditën aty se në të kundërt do të ishim, në fillim të videos tregoj teleferikët që kanë ngecur, janë 4 kabina plot me njerëz dhe dëgjoheshin ulërimat e tyre. Unë jam klaustrofobike, imagjino njerëzit e shkretë kanë qëndruar dy, dy orë e gjysmë derisa u vendosën në punë gjeneratorët. Me sa kuptuaum, gjeneratorët ishin pothuajse inekzistentë. Aty nuk e kuptuam seriozitetin e situatës. E kuptuam dy orë më vonë që ecnim për t’u ushqyer dhe njerëzit hanin proshutë, djathëra dhe gjëra të pagatuara vërdallë. Gjetëm një vend që bënte zgarë, por problemi tjetër ishte që donin vetëm ‘cash’. Ne si shqiptarë ‘cash’, nuk diskutohet dhe karta është prezent për rast rreziku, jo si të huajt.
Fjorza tregon se përgjatë ditës nisën të krijoheshin turma. Supermarketet nuk funksiononin dhe pak nga pak, ushqimi nisi të kthehej në një problem.
Fjorza Mullahaj: Vërdallë, po të shikoni videot, të vetmet markete që janë hapur janë të indianëve pasi punoni pa kasë. Supermarketet e mëdha e mbyllën derën sepse punojnë me kasë, nuk mund të kalojnë asnjë produkt. Gjeneratorë nuk kishte, kështu që ishin mbyllur të gjitha. Ato që nuk ishin të mbyllura, kam bërë foto një tabelë që thotë “na vjen keq janë shitur të gjitha”. Nuk kanë ushqim. Njerëzit prisnin dy orë në radhë për të marrë një doner, ishin 70 veta minimumi në radhë dhe doli, tha “s’kemi më çfarë ushqimi t’ju ofrojmë”, nuk kishte më ushqim. Në një market që u futëm kam gjetur vetëm biskota dhe pije, as fruta, asgjë. Ata që kishin mundësi të ofronin diçka në zgarë ose të pagatuar, vinin dhe merrnin aq ushqim sa duhej. Këtu kuptova që situata po bëhej e vështirë.
Stafi i hotelit ku qëndronin, i cili ishte i vetmi që kishte energji elektrike, mori nga ushqimi i stafit për të ushqyer vajzën e Fjorzës. Darka ishte momenti kur tashmë mund të shihej qartazi sesa serioze ishte situata.
Fjorza Mullahaj: Nga ora 12 e gjysmë e tutje, nuk kishte më asnjë lidhje telefonike, të paktën për mua që isha ‘roaming’, por edhe vendasit kishin probleme.
Rudina Magjistari: Ti vetë përjetove panik?
Fjorza Mullahaj: Jo, përveçse kur erdhi fjala te ushqimi në darkë sepse gjatë ditës isha e ushqyer me produkte të tjera. S’kishim ushqim, bashkëshorti im u shqetësua disi, doli për të ngrënë dhe atje pa tmerr me sy. Njerëz që shihnin ushqimin e të tjerëve që mund të kishin gjetur dhe shihnin çfarë po hanë këta, fëmijë.
Sava Bardhi: Bukë nuk gjenit dot?
Fjorza Mullahaj: U mbyllën të gjitha, dha urdhër shteti. Kushdo që mund të shiste diçka që mbante konservim se mund të mbante bukën, por jo proshutën. Një rregull i jashtëzakonshëm por i frikshëm për situata të tilla sepse ishte plot me turistë, plot! Vendasit nuk e kanë problem se shkojnë në shtëpi, diçka do të gjejnë.
Fjorza thotë se edhe portretizimi i medias nuk ishte aq real. Edhe pse u duk sikur njerëzit e morën pak lehtshëm, në të vërtetë paniku ndihej.
Fjorza Mullahaj: Nuk ishte aq e lehtë sa ç’e treguan mediat që dolën në Barcelonë njerëzit se janë shumë rehat si popull dhe duke luajtur.Turistët ngelën pa ushqim.Njerëzit në rrugë të thoshin “a mund të më japësh pak për fëmijën nga ajo që po ha?” Arriti në një pikë të tillë dhe shqetësimi im më i madh ishte të nesërmen në mëngjes çfarë do të ndodhte se mirë një ditë, do bëjmë si do bëjmë, një gjë kishim në çantë, një banane, një pako me biskota, do të flinim gjumë, do t’ia dilnim, mbaroi, por si do të bënim të nesërmen në mëngjes kur do të bënte 24 orë të plota nga kjo situatë?/tvklan.al