Sot shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Në qendrën

përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen mbetjet e 33 viktimave të

masakrës, të gjetura në disa varre masive gjatë vitit të fundit.

Viktima më e re

që do të varroset është Osman Cvrka. Ai ka qenë 16 vjeç kur është vrarë.

Më 11 korrik të

vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte

shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë

pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre

i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Derisa vrasjet

kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe

identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende.

Masakra e

Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të

Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur

si gjenocid.

Ish-udhëheqësi

politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të

përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe

mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje.

Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid./REL