Në studion e “Historia ime” në TV Klan ka qenë Bruno Xhaferi i cili është një inxhinieri elektronik i apasionuar pas sportit që nuk e ka lënë vetëm në kuadrin e pasionit, por e ka kthyer në një profesion të dytë. Kemi të bëjmë me një personazh interesant i cili edhe pse vjen nga një degë ekzakte siç është elektronika, zhvillon një disiplinë sportive shumë interesante të quajtur Brazilian Jiujitsu dhe ua mëson dhe shumë të rinjëve.

Mirela Milori: Kur fillove të pëlqeje artet marciale?

Bruno Xhaferi: Nëse flasim për sportin, sporti ka filluar që në fillore sepse klasat që shkoja unë, ishin klasa sportive. Konferenca e Pezës ka qenë një nga shkollat që merreshe me gjimnastikë, pastaj e vazhdove me atletikë në shkollën 11 Janari e cila ishte e specializuar për atletikë dhe njëkohësisht fillova dhe notin. Artet marciale i kam filluar më vonë rreth ’89-’90.

Mirela Milori: Duke patur kaq pasion për sportin pse nuk u bëre sportist?

Bruno Xhaferi: Familjen e kam shumë të prirur nga sporti, mamaja ime ka mbaruar Institutin e Fiskulturës dhe ka qenë pedagoge në universitet për edukim fizik, ka qenë dhe kampione e Shqipërisë në sportin e saj, ndërsa babai është marrë po ashtu me sport, por e la dhe vazhdoi mjekësinë, kështu që sporti është pjesë e familjes. Artet marciale i kam pasur gjithmonë dëshirë, luaja ose bëja teknikat që shikoja nëpër video sepse nuk lejohej dhe i bënim me shokët, aq mundësi kishim atëhere.

Mirela Milori: Inxhinieri elektronike, pse ishte pasioni apo familja?

Bruno Xhaferi: Dëshira e babait dhe pastaj u kthye në gjysmë pasioni edhe nga ana ime.

Pas shumë punë dhe eksperiencë, Bruno ka treguar se para dy vitesh ka hapur dhe palestrën e tij. Për disiplinë sportive shumë interesante të quajtur Brazilian Jiujitsu ai është shprehur se pas 9 vitesh punë dhe mundim arriti të merrte licensën në Brazil për ta ushtruar dhe për t’i mësuar njerëzit këtu në Shqipëri. Madje ai ka treguar se dikur ka pasur edhe një kompani të vetën e cila merreshe me gjëra elektronike nga ku ka nxjerrë edhe shumë para që ka arritur të ndjekë pasionin e tij për sportin./tvklan.al