Në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë në një lidhje me Skype një vajzë e cila është konsulente e markave luksoze Elona Varfi. Hera e fundit që ka qenë në studion e Rudinës ishte para 3 vitesh e gjysmë e cila ka rrëfyer për pasionet e saj dhe punën njëkohësisht si konsulente e markave të luksit. Jeta e saj është mes sendeve të luksit dhe po ashtu jeton në Londër, ku ka krijuar dhe familjen e saj. Elona është martuar me djalin më të bukur, ish-misterin e parë Shqiptar Olti Xhezo, ku para 6 muajsh ata janë bërë prindër të një vajze.

Elona ka dhënë dhe një intervistë për median e njohur Daily Mail, ku në fokus ka qenë çanta Hermes, një aksesor mjaft i shtrenjtë që ajo shfaqet shpesh herë në postimet e saj në rrjetet sociale.

Rudina Magjistari: Çantat Hermes që i shohim ne në foto, janë të gjitha të tuat? Ti poston shpesh herë me çanta Hermes, duket sikur ke një koleksion. Madje dhe Daily Mail të ka intervistuar për këtë, i ka tërhequr vëmendjen Instagrami yt. Një nga pyetjet që të kanë bërë është si ka mundësi që t’i ke gjithë këto çanta Hermes të cilat sipas protokollit ne dimë që Hermesi nuk ia shet kujdo çantat e veta.

Elona Varfi: Ata funksionojnë sipas parimit të ekskluzivitetit. Dhënia e një çante Hermes është një gjë shumë ekskluzive që bëhet për klientë të veçantë. Unë duke qenë në këtë fushë, është ndryshe nga një klient normal sepse unë i përkas kësaj fushe tashmë dhe e kam biznes, kështu që unë kam krijuar një marrëdhënie prej vitesh, jam kliente e rregullt, jam njohëse shumë e mirë e firmës gjë që ata e vlerësojnë.

Duke qenë koleksioniste dhe unë vetë, gjithmonë kërkoj çanta që janë të rralla dhe do doja t’i kisha në koleksionin tim. Të gjitha çantat që shihni nuk janë  të gjitha të mijat, pasi unë i ble, i shes, janë pjesë e punës time, ose i kam të klientëve që i reklamoj duke i nxjerrë në foto dhe pastaj ato shiten në ankand. Unë kam një koleksion timin dhe synoj që këtë koleksion ta rris me kalimin e kohës. Deri më tani kam 11 çanta në madhësi të ndryshme.

Rudina Magjistari: Është një koleksion i vërtetë të cilit i rritet vlera me kalimin e kohës apo jo?

Elona Varfi: Po, i është rritur shumë, shumë vlera dhe unë ato që kam shitur jam bërë pak pishman sepse do mund t’i shisja më shumë tani.

Rudina Magjistari: Janë një investim i mirë apo jo?

Elona Varfi: Ky është një investim dhe nuk do ta bëja po të mos ishte investim.

Elona ka treguar se ka shitur në ankand edhe çantat më të shtrenjta dhe të veçanta të Hermes që kanë kapur vlerën mbi 100 mijë euro. /tvklan.al