Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka mbajtur sot fjalën e fundit në Kuvend. Ruçi ka bërë një përmbledhje të punës që është bërë në këtë legjislaturë të nëntë në Kuvend dhe në fund ritheksoi se ai nuk do të jetë më deputet në Shtator.

Sot në mbyllje të legjislaturës së Kuvendit, Ruçi tha se në Kuvend ka qenë si shërbyes publik dhe ka bërë aq sa ka mundur për qytetarët.

Në fund u shpreh se beson që në legjislaturën e ardhshme do të ketë një përfaqësim më të mirë të qytetarëve nga deputetët e rinj.

Për rreth tre dekada në këtë sallë, gjysmën e kohës kam qenë në maxhorancë dhe gjysmën në opozitë. Por gjithmonë, në këtë sallë dhe përtej saj, në të gjithë jetën dhe karrierën time politike, kam bërë më të mirën për të sjellë zërin, nevojat e zgjidhjet për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse kanë votuar mua, partinë time apo kundërshtarët tanë.

Në garat zgjedhore kam konkurruar me dinjitet dhe sinqeritet. Në Kuvendin e Shqipërisë kam ardhur si shërbyes publik dhe kam kontribuar me përkushtim e integritet. Nëse nuk kam bërë më të mirën që prisnin qytetarët shqiptarë, kjo ka ndodhur jo se nuk kam dashur apo nuk kam ditur, por nuk kam mundur. Madje, do të thoshja, nuk kemi mundur.

Jam i bindur se gjeneratat e reja të politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë e Shqipërisë që do të vijnë në këtë sallë, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë“, u shpreh Ruçi./tvklan.al