Aksioni i pastrimit të Tiranës, i lajmëruar dje edhe nga kryebashkiaku Veliaj, ka nisur që në orën e para të mëngjesit në të 24 njësitë administrative të kryeqytetit. Aksioni është mbështetur nga qindra vullnetarë dhe qytetarë të Tiranës.

Në Ditën Botërore të Pastrimit, qindra qytetarë si dhe punonjësit e ndërmarrjeve të pastrimit të kryeqytetit kanë filluar largimin e inerteve, por edhe të mbetjeve të tjera të ngurta si mobilie, goma, hekurishte.

Një punë të mirë kanë bërë edhe administratorët e njësive bashkiake, si dhe vullnetarët, të cilët kanë kontribuar në heqjen e qeseve dhe të plehrave duke përmirësuar jo vetëm anën estetike të zonës së tyre, por mbi të gjitha duke përmirësuar edhe jetesën e gjithë komunitetit.

Aksioni për pastrimin e kryeqytetit do të vijojë gjatë gjithë ditës së sotme, ndërkohë që kërkohet që qytetarët të japin kontributin e tyre që Tirana të jetë gjithmonë e pastër.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash me qëllim sensibilizimin e qytetareve dhe edukimin e atyre mbi hedhjen apo menaxhimin e plehrave.

/tvklan.al