Viti 1906 do të ishte koha kur Fan Noli do të shkonte drejt SHBA-së dhe 3 vite më vonë, më 1909 ishte i vendosur për të studiuar në Harvard.

Besohet se poeti ka qenë i pari shqiptar që ka shkuar në universitetin prestigjioz amerikan, shpjegon studiuesi Ilir Ikonomi për “Opinion” në Tv Klan. Studiuesi, i cili ka botuar librin biografik “Apostulli” për jetën e Fan Nolit, thotë se poeti shkoi në Harvard pa asnjë qindarkë në xhep.

Një ndër ngjarjet më interesante të kësaj periudhe është se viti i tij i diplomimit në Harvard përkon me atë të Faik Konicës.

Ilir Ikonomi: Shkon në Harvard pa një kokërr leku në xhep dhe ai përpiqej të merrte borxhe, ishte i zhytur në borxhe, por ishte i vendosur ta bënte Harvardin.

Blendi Fevziu: Për çfarë u shkollua?

Ilir Ikonomi: Për Lëndë Humanitare, mori një Bachelor në Lëndët Humanitare dhe për Filozofi.

Blendi Fevziu: Duhet të ketë qenë shqiptari i parë që ka shkuar në Harvard apo jo?

Ilir Ikonomi: Besoj se po, nuk kam dëgjuar për ndonjë shqiptar. Pastaj shembullin e Nolit e ndoqën  edhe të tjerë. Konica, që erdhi pak më vonë në Harvard. Të dy kanë mbaruar në të njëjtin vit në 1912, më 20 Qershor. Vetëm se Konica mori Masterin, Noli Bachelorin.

Blendi Fevziu: Si u njoh Noli me Konicën? Kur datojnë kontaktet e para mes tyre dhe kur ka qenë takimi i parë fizik?

Ilir Ikonomi: Kur Noli ishte në Boston, komunikonin me letra me Konicën. Noli sigurisht e njihte Konicën që nga viti 1901, që para se të shkonte në Egjipt.

Blendi Fevziu: Me gazetën Albania.

Ilir Ikonomi: Po gazeta Albania në atë kohë ishte një gazetë e jashtëzakonshme, një revistë e jashtëzakonshme./tvklan.al