Kosova e ka shpallur person “non grata” zyrtarin rus të UNMIK-ut të cilin policia e arrestoi dhe më pas e liroi të martën gjatë një aksioni kundër kontrabandës në veri.

Zyrtari rus i UNMIK-ut, sipas Kryeministrit, ka shkelur rendin kushtetues të Kosovës kur ka tentuar të ndalojë zyrtarët policorë të Kosovës të heqin barrikadat.

Kryeministri Ramush Haradinaj, nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Kosovës ndërsa i ka bërë thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të OKB-së të respektojë vendimin.

OKB-ja deri më tash nuk ka reaguar, por në një deklaratë të mëhershme Sekretari i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, pati njoftuar se “non grata” nuk zbatohet për personelin e Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov ka reaguar duke thënë se përpjekjet e Prishtinës që ta privojnë zyrtarin rus nga statusi janë çështje serioze ndaj të cilës duhet të reagojnë përfaqësuesit e OKB-së.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se janë në dijeni se policia arrestoi dhe liroi një zyrtar rus të UNMIK-ut, por sipas tyre policia e Kosovës po heton incidentin.

Në reagimin e zyrtarit të SHBA-së në OSBE, potencohet fakti se aksioni i policisë të martën kundër kontrabandës nuk ishte për pjesën veriore por për gjithë Kosovën.

“Policia ka arrestuar të dyshuarit që u përkasin grupeve të ndryshme etnike. Operacioni u realizua në disa vende në Kosovës, jo vetëm në veri”, thuhet në reagim.

Zyrtari rus i UNMIK-ut aktualisht ndodhet në Beograd, siç është thënë, për kurim.

Tv Klan