Non Paper-i, Varhelyi: Të bindur në pavërtetësinë e tij. Rama: Rruga e duhur, Shengeni Rajonal



Non Paper-i, Varhelyi: Të bindur në pavërtetësinë e tij. Rama: Rruga e duhur, Shengeni Rajonal

10:40 05/05/2021

Kryeministri Edi Rama dhe Eurokomisioneri Oliver Varhelyi janë në një mendje, kur pyeten për dokumentin “non paper”, të publikuar së fundmi, që flet për ndryshim të kufijve në Ballkan. Varhelyi tha se jo vetëm që dokumente të tilla nuk janë të vërteta, por BE nuk mbështet asnjë ide të tillë.

“Është në fakt si një stinë ku tashmë po shikojmë që kanë lulëzuar dokumente të tilla që quhen non paper. Është interesante kur dëgjojmë lajme të tilla, edhe pse jemi të bindur që asnjë nga këto non paper nuk janë të vërteta. Po të ishin do të ishim të shqetësuar sepse sigurisht që ripërcaktimin i kufijve në Ballkanin Perëndimor e dimë shumë mirë se ku na çon kjo lloj gjëje. Kështu që nuk besoj që asnjë person serioz do ta vinte një gjë të tillë mbi tryezë, për të diskutuar mbi të e në veçanti në këtë rajon ku jemi. Nuk jemi dakord me asnjë pjesë të saj. Nuk mendoj që këto janë ide të vërteta dhe reale, por ndoshta u shërben më shumë disa synimeve të tjera dhe unë ndihem mirë dhe jam i qetë që ato janë njoftuar pikërisht nga ata persona të cilëve u është atribuuar këto non paper. Kështu që kalojmë tek stina tjetër dhe kjo ka të bëjë me atë sesi do ta bëjmë stinën e Ballkanit Perëndimor dhe si do të marrin në fakt marrëveshje për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare jo vetëm më Shqipërinë, por edhe me RMV dhe sesi do të punojmë për aplikimin e metodologjisë së re në lidhje me Serbinë dhe Malin e Zi dhe sesi do të vazhdojmë të vijojmë me dialogun. Këto janë ato çështjet e vërteta dhe i kam zili të gjithë ata që kanë kohë të bëjnë dokumentet të tilla”.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se vizioni dhe bindja e tij është se rruga e duhur për Ballkanin Perëndimor është Shengeni Rajonal.

“Unë e kam dhënë opinionin tim dhe nuk do lodhem së përsërituri që ne duhet të ulim prodhimin e historisë dhe të rrisim prodhimin e ekonomisë. Sa i përket Ballkanit, vizioni dhe bindja ime është e shpallur, Shengeni Rajonal është rruga ku duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë në mënyrë civile mosdakordësitë tona. Mosdakordësitë tona nuk duhet të na pengojnë asnjë ditë që të mbështetim së bashku rritjen ekonomike, përmirësimin e situatës sociale të njerëzve në këtë rajon, të mbështesim së bashku ndërtimin e një baze të re për të ardhmen, që t’u shërbejë të gjithë fëmijëve të rajonit. Shengeni Rajonal është një vizion dhe projekt i përqafuar plotësisht nga BE, i mbështetur nga KE dhe nga komisioneri, që është një kontributor konkret i këtij projekti me planin e investimeve, kështu që ka kaq shumë mundësi që na takon t’i shfrytëzojmë, sa është gjynah të humbasim kohë të çmuar duke prodhuar e riprodhuar histori që nuk na çojnë asgjëkundi. Nuk shoh asnjë mundësi që ne të gjejmë zgjidhje magjike për problemet që duhet të zgjidhim me durim në rajon, por jam i bindur që sa më shumë ta përmirësojmë atmosferën sociale, fqinjësore mes vendeve, aq më shumë krijojmë kushtet që edhe mosdakordësitë e mëdha të trajtohen në mënyrë civile, europiane dhe produktive. Fatkeqësisht artin e sajimit të konflikteve jo produktive e kemi realisht një art për të cilin nuk na konkurron askush. Ne duhet të europianizohemi dhe nuk duhet të riballkanizohemi ndërkohë që jemi në mes rrugës të ballkanizimit dhe europianizimit”./tvklan.al










Të ngjashme