Nora Gjakova shpallet kampione olimpike në xhudo

Kosova mori një tjetër medalje të artë në Lojërat Olimpike, sërish në xhudo. Nora Gjakova triumfoi në finalen e peshës deri 57 kilogramë përballë francezes Sarah Leonie Cysique e mbajtur mesditën e së hënës.

Një fitore e merituar e 28-vjeçares nga Peja, e cila stërvitet nga trajneri Driton Kuka. Xhudistja franceze u ndëshkua me karton të kuq kur Nora Gjakova udhëhiqte me rezultatin 10-0.

Për të arritur në këtë sukses ajo fitoi 4 sfida, duke i shtuar një tjetër medalje karrierës së saj fantastike. Të shtunën kampione olimpike u shpall Distria Krasniqi në peshën 47 kilogramë. Xhudo ishte disiplina ku Kosova synonte medalje në Tokio.

Fatkeqësisht Majlindja Kelmendi nuk ia doli të përsërisë suksesin e Rio 2016, duke u eliminuar që në sfidën e parë të dielën në peshën deri 52 kilogramë. Ajo deklaroi për mediat në Kosovë se ishte gara e fundit për të.

Tv Klan