Çuditë ndodhin… edhe në Norvegji.

Një burrë u zgjua në mëngjes dhe pa diçka të rrallë. Një anije gjigande me kontejnerë që kishte ngecur në kopshtin e tij.

Siç duket edhe nga pamjet, shtëpia i shpëtoi vetëm për disa metra. BBC shkruan se ngjarja u regjistrua të enjten në mëngjes.

Johan Helberg po qëndronte në banesën e tij, kur në mëngjes, disa fqinj të alarmuar u përpoqën ta njoftonin se anija po i drejtohej shtëpisë së tij.

“Zilja ra në një moment të ditës kur nuk kam dëshira ta hap. Shkova te dritarja dhe ishte e pabesueshme të shihje një anije të madhe”, tha ai në një intervistë.

Për 5 metra, mjeti lundrues do kishte përfunduar në dhomën e tij të gjumit.

“Nuk dëgjova asgjë”, tregoi ai.

Nga ana tjetër, fqinji i tij, Jostein Jorgensen, tha se ishte zgjuar nga zhurma e anijes teksa i drejtohej me shpejtësi tokës.

Ai u përpoq ta zgjonte Helberg, por zilja e derës nuk bëri punë. U desh që ta merrte në celular për ta paralajmëruar.

Sa i përket anijes, të quajtur NCL Salten, kishte 16 persona në bord. Fatmirësisht asnjë nuk mbeti i lënduar nga incidenti. Deri më tani nuk dihen arsyet e përplasjes së anijes me tokën. Policia ka nisur një hetim.

Kreu i kompanisë NCL, e cila e ka marrë me qira anijen, e quajti ngjarjen “një incident të rëndë” dhe tha se “jemi mirënjohës që askush nuk u lëndua”./tvklan.al