Baba Vanga, gruaja e verbër bullgare që konsiderohet si “Nostradamusi i Ballkanit” dhe që besohet se ka parashikuar ngjarjet që do të ndodhin nëpër botë, kësaj radhe thuhet se kishte menduar edhe infektimin me Covid-19 të Presidentit amerikan Donald Trump.

Pretendohet se vite më parë, Baba Vanga të kishte parashikuar se Donald Trump do të vuante nga një sëmundje misterioze në vitin 2020, e cila do ta lërë të shurdhër dhe do t’i shkaktojë tumor në kokë.

Ajo që dihet është se më 2 Tetor, vetë Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se është prekur nga Covid-19 dhe ndodhet në një spital ushtarak për trajtim mjekësor. Gjendja e tij është e mirë, ka thënë mjeku i kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Disa nga parashikimet e tjera të Baba Vanga thuhet se kanë qenë sulmet e 11 Shtatorit ndaj kullave binjake në SHBA, dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian dhe cunami vdekjeprurës në Tajlandë. Thuhet gjithashtu se Baba Vanga ka bërë parashikime për ngjarjet që do të ndodhin në botë deri ditën kur ka vdekur në vitin 1996.

Baba Vanga lindi dhe u rrit në një fermë që sot është pjesë e Maqedonisë së Veriut, dhe më pas jetoi në Bullgari ku dhe vdiq. Thuhet se një stuhi pluhuri bëri që ajo të humbiste shikimin. Nga ana tjetër, fitoi një aftësi më të madhe, sipas gojëdhënave, që të parashikonte ngjarjet që do të ndodhnin në botë.

Në një parashikim që kishte bërë në vitin 1989, Baba Vanga kishte thënë: “Tmerr, tmerr. Vëllezërit amerikanë do të sulmohen nga zogjtë prej çeliku. Ujqërit do të ulërijnë dhe gjaku i të pafajshmëve do të derdhet”.

Këto fjalë të saj janë përkthyer si parashikim i sulmeve terroriste në SHBA, ku dy aeroplanë u përplasën në kullat binjake më 11 Shtator 2001.

Baba Vanga nuk ka shkruar kurrë asnjë nga parashikimet e saj. Por qeveria bullgare i mori aq seriozisht profecitë e saj, saqë e përfshiu Baba Vangën në listat e pagamarrësve shtetërorë. Një ekip u ngarkua me detyrën për të shkruar të gjitha parashkimet që kishte bërë Baba Vanga dhe të transkriptonin intervistat që ajo kishte bërë me qytetarë të ndryshëm.

Sidoqoftë, jo gjithçka që ka parashikuar ka qenë e saktë. Në një parashikim të vjetër të saj, Donald Trump do të duhej të sëmurej në vitin 2019, dhe një luftë bërthamore që kishte parashikuar në vitet 2010-2014 nuk ndodhi kurrë. /tvklan.al