Këngët e vjetra ruajnë nostalgji të përhershme për publikun pasi ai ndjen një lidhje të fortë me versionin origjinal të tyre, këngëtarin, muzikën, periudhën e kohës kur është kënduar pasi mund të mbartin kujtime.

Ndaj, kur këto këngë sillen në një version të ri, mund të jetë e vështirë për audiencën që t’i përqafojë pasi ka gjithnjë tendencën e të krahasuarit me versionin origjinal.

Ky nuk është rasti për NRG Band. Trioja ka sjellë disa “remake” të këngëve shqiptare e të huaja, si “Relacion”, hiti ndërkombëtar i Verës së shkuar, por edhe një këngë shqiptare të së madhes Nexhmije Pagarusha, “Ani mori nuse”, për të cilën foli gjerësisht në emisionin “Rudina” në “Tv Klan”.

Versioni i ri i kësaj kënge ka korrur sukses pasi përmban esencën e vjetër të saj dhe nuk e ka humbur autenticitetin në përshtatjen për t’u bërë më e dëgjueshme për moshat e reja. Grupi tregon detaje edhe për takimin e tyre me artisten e shquar, e cila e aprovoi versionin e ri të këngës së kënduar nga ajo.

Rudina Magjistari: Keni realizuar një nga këngët e bukura të Nexhmije Pagarushës që është pikërisht “Ani mori nuse”. Këngë shumë e njohur, e keni risjellë, më trego pak nga historia e kësaj kënge, si lindi ideja, më pas keni komunikuar me Nexhmije Pagarushën kur e keni bërë këtë këngë? Si e kujtoni atë?

Besnik Qaka: Si fillim, patëm nderin të shkonim ta takonim në apartamentin e saj ku ka jetuar derisa ishte gjallë. Në atë kohë, ishte pak e sëmurë, por ne kishim dëshirë të shkonim ta takonim sepse nuk na kishte rënë rasti, por ja që u krijua mundësia. Kur shkuam, projekti ishte i mbaruar dhe ia treguam asaj.

Rudina Magjistari: Ah, e kishit bërë vetë me iniciativën tuaj më herët?

Besnik Qaka: Po, i pëlqeu me të vërtetë se ishte moderne, por tha edhe që nuk ia kishim humbur vlerën dhe origjinalitetin e saj. Në një moment mendoi se mos ishte bërë rrëmujë në instrumental, por i pëlqeu. Aty kisha frikën se mos nuk i pëlqente, do isha ndierë shumë keq. Më kujtohet ky moment. Te këngët “remake” është dy herë më e vështirë për ne sidomos sepse vetë kënga ka një origjinalitet dhe është pranuar ashtu nga publiku në momentin që ka dalë. I bie t’i ndërrosh pak identitetin këngës, gjasat janë të mëdha që mos të pëlqehet, duhet të kesh shumë kujdes, është më e vështirë të bësh një “remake” sesa një këngë të re.

Rudina Magjistari: Po ky momenti i Nexhmije Pagarushës kur shkuat ta takonit në apartamentin e saj, më tregoni pak si u përgatitët?

Besnik Qaka: U përgatitëm shumë thjesht, si tre djelmosha me një buqetë me lule.

Rudina Magjistari: E kishit me emocion apo jo?

Besnik Qaka: Po, e takuam, iu lutëm Zotit që të shërohej sa më shpejt e të bëhej më mirë, këto ishin fjalët që i thamë.

Rudina Magjistari: Po ajo si reagoi kur ju pa? Fjalët e para që ju tha?

Met Qaka: Na priti shumë mirë.

Besnik Qaka: Ajo na njihte nga televizori, por drejtpërdrejt s’kishim patur rast të takoheshim, ishte një emocion i veçantë.

Met Qaka: Nexhmija ishte e shtrirë në momentin kur hymë ne dhe me një vullnet shumë të madh tha “Prit se dua të ngrihem”, u çua dhe u ulëm të bisedonim dhe bëmë këto foto./tvklan.al