“Stop” është ndalur në Durrës për problemin e 77-vjeçarit Shyqyri Stari. I moshuari është diagnostikuar e mjekuar në Sanatoriumin e Tiranës dhe mjekët specialistë i kanë thënë që duhet të vijojë kurimin me medikamentin e quajtur Ksarelto.

Por mjekja e familjes në Durrës nuk ia jep këtë ilaç, pasi thotë se e ka me protokoll që duhet të nisë mjekimin me medikamente më të lira.

“Në fillim kam ndenjur 3 javë i shtruar në spitalin e Durrësit, nuk pata asnjëlloj përmirësimi. Privatisht shkova në Sanatorium, pa rekomandim pa kurrgjë fare. Më përcaktuan diagnozën, mpiksje gjaku dhe trombozë arteriale. Dola nga spitali atë ditë na thanë ty të takon ky medikament, me rimbursim për gjithë jetën. Marr rekomandim nga mjekja e lagjes, e firmosim tek mjeku i Dispancerisë së Durrësit dhe Spitalit. Shkuam në Sanatorium, e firmosën mjeket, ia sollëm mjekes së lagjes, jo tha, nuk e jap. Më jep diçka tjetër, sepse po t’i jap i paguaj unë tha, na gjobisin… këtë nuk e kuptoj. “

Denoncuesi thotë se nuk e ka marrë medikamentin e dhënë nga mjekja e familjes.

“Nga data 25 Mars e deri më tani blej dy kokrra nga 6 mijë lekë në ditë. Unë jam pensionist, unë me këto medikamente nuk bëj eksperiment me jetën time, sepse do ajo mjekja e lagjes, e kush i ka këto rregulla.

Edhe në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor thonë se nuk kanë kompetencë të anashkalojnë protokollin, ndaj nuk mund t’i japin Ksarelto të moshuarit.

“Mjeku ka një kontratë me Fondin, ka një protokoll të përdorimit të barnave, ka dhe kufizimet e listës së barnave dhe është i detyruar që t’i zbatojë. Dhe në bazë të këtyre ai ka ndjekur një skemë tjetër, kështu që prandaj nuk e ka marrë akoma. Por është një mjekim që pacientit do t’i jepet në momentin kur mjeku i familjes e shikon të arsyeshme”, 

thotë drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr.2 Durrës, Tristana Duni.

Kur do të ndodhë kjo gjë? Si mund ta kuptojë një qytetar i thjeshtë, që duhet të përdorë dy mjekime të tjera, ndërkohë që nga 5 specialistë i është rekomanduar kjo?

“Pacientit i jepet mjekimi siç e mendon mjeku i familjes dhe në bazë të protokollit, ndiqet me një analizë laboratorike dhe kur ai mjekim nuk bën efekt atëherë mjeku e gjykon të arsyeshme që ta ndryshojë mjekimin dhe të kalojë në mjekimin që rekomandohet nga spitali Shefqet Ndroqi”.

Këtë problematika i keni përcjellë në Fond ose në Drejtori më të lartë se ju?

“Po patjetër që i kemi përcjellë. Janë rregulla të përcaktuara nga institucione të tjera dhe ne jemi të detyruar t’i zbatojmë”.

Ish-ministri demokrat i fushës, Tritan Shehu shpjegon se këto burokraci i kushtojnë pacientit, ndaj duhet t’u jepet përparësi medikamenteve bashkëkohore nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi.

“Është një problem i madh në tërësi për shumë medikamente të tilla, mjaft të përdorshme tashmë, në një mjekësi moderne. Mjaft të aksesueshme dhe me dobi ndaj të sëmurit, por që kanë një farë kostoje financiare siç kanë të gjithë medikamentet sot në botë. Ne në këtë moment, jo vetëm që kemi një listë të rimbursimit të medikamenteve shumë të shkurtër, rreth 420-430, jo vetëm që rimbursimi nuk është i plotë në vlerë në shumicën dërrmuese të tyre, por është në vlerë 40-60 përqind të vlerës të medikamentit, por ne kërkojmë që ta ngushtojmë akoma më shumë përdorimin e këtyre medikamenteve të rimbursueshme, duke futur artifica të ndryshme, kushte/kondita të ndryshme, për të ulur sa më shumë numrin e të sëmurëve që përfitojnë nga këto medikamente që përdoren tashmë në mjekësinë moderne në mënyrë shumë të gjerë. Gabimet fillojnë realisht nga një koncept artificial për të bllokuar rimbursimin e këtyre medikamenteve dhe për t’i zëvendësuar ato me alternativa të tjera, që nuk janë të cilësisë sa këto, janë me kosto shumë më të ulët dhe nuk kanë benificën shkencore siç kanë medikamente të tjera, siç është tipi i Ksareltos. Dhe është detyra e Ministrisë së Shëndetësisë, e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, e shtetit shqiptar, që t’i sigurojë një mjekim adeguat dhe bashkëkohor këtyre të sëmurëve. Pra nuk mundet ta futësh në labirinte të tilla burokratike dhënien e këtij lloj medikamenti. Unë mendoj dhe gjykoj që ka ardhur momenti, jo vetëm të zgjerojmë listën e medikamenteve, por të zgjerojmë edhe numrin e alternativave të para për çdo medikament, në medikamente të tilla bashkëkohore. Padyshim në këtë mënyrë ne do t’i shërbejmë më mirë të sëmurit”,

thotë Shehu.

/tvklan.al