Të paktën 71 persona kanë gjetur vdekjen pasi një traget u përmbys në lumin Tigër të Irakut këtë të enjte. Sipas zyrtarëve lokalë, pjesa më e madhe e viktimave ishin gra dhe fëmijë, të cilët nuk dinin të notonin.

Tragjedia, e cila ndodhi pranë Mosulit, dyshohet se erdhi për shkak se trageti ishte i tejmbushur me pasagjerë. Operacionet e shpëtimit vijojnë ende, ndërsa të paktën 20 persona rezultojnë të zhdukur. Numri i viktimave vijon të rritet.

Fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë me dhjetëra persona në ujë, ndërsa njerëz të shumë shohin nga bregu të tmerruar.

Sipas BBC në traget ndodheshin të paktën 100 persona, të cilët ishin nisur drejt një ishulli turistik me rastin e festimeve të Sulltan Nevruzit.

Kryeministri i vendit Adel Abdul Mahdi urdhëroi nisjen menjëherë të hetimeve, për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie.

Autoritetet raportohet se i kishin paralajmëruar njerëzit për rritjen e nivelit të ujit, për shkak të hapjes së portave të digës së Mosulit dhe disa po akuzojnë operatorët e anijes se kishte injoruar këshillën.

/tvklan.al