Mëngjesin e kësaj të shtune në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar veterineri Ariel Vasili. Ai foli për “maninë” e shqiptarëve për t’i kthyer si kafshë shtëpiake arinjtë, shqiponjat e zvarranikët. Mbajtjen e kafshëve të egra në kafaz, si kafshë shtëpiake veterineri e cilësoi si një “trend ballkanas”.
Më tej ai habiti kur tha se në Shqipëri nuk mbahen vetëm arinjtë e zvarranikët në shtëpi, por dhe kafshë të rrezikshme si luanët e tigrat.
Ariel Vasili tronditi më tej kur tha shifrën se sa tigra e luanë të paligjshëm janë në Shqipëri, “mbi 70”. Sipas tij autoritet janë në dijeni për këtë dhe po merren me hetime të mëtejshme për të marrë më vonë masat e nevojshme.
“Kjo është një çështje e cila hetohet nga shteti edhe pse nuk është vepruar ende. Por, padyshim që dihet që ka disi individë që kanë tigra dhe disa të tjerë që kanë luanë në Shqipëri në mënyrë ilegale. Problemi është hajde se po i sekuestron shteti, por ku do i fusë, sepse ne na mungon një strehimore. Jo çdo kafshë mund të futet në kopshtin zoologjik. Sasia e tigrave dhe luanëve që raportohen në Shqipëri është mbi 70. Këto janë raportime të policisë dhe shoqatave të huaja, jo shqiptare që kanë bërë investigime për një pjesë shumë të mirë të tyre”, tha veterineri./tvklan.al