Festivali i filmit “Dea open air” mbylli me sukses edicionin e gjashtë. Me drejtorë Edmond Topi dhe partneren e tij në jetë dhe në punë, Mirela Oktrova, ky festival bëri bashkë kineastë, aktorë e regjisorë nga Europa dhe bota, personalitete të kulturës dhe biznesit dhe artistë të zhanreve të ndryshme.

Në festival aplikuan 1000 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga 67 vende të botës, ku edhe u dhanë 16 çmime. Sot çifti ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur rreth edicionit të 6-të të filmit, por edhe për historinë e tyre të dashurisë. Ata janë bashkë prej 21 vitesh dhe gjatë emisionit rrëfyen takimet me njëri-tjetrin, fillimisht për shkak të punës dhe më pas si të dashuruar.

“Ne njiheshim nga larg, babi i Mirelës ka qenë pedagog dhe Mirela vinte shikonte provimet. Për ne studentët atëherë përveç gëzimit të provimit kishim edhe gëzimin që na vinin dy Mirela. Por jeta bëri të vetën dhe ne lëvizëm, por u ritakuam në Gjermani. Unë punoja si gazetar dhe Mirela punonte gjithashtu gazetare. Ishte një aktivitet kulturor dhe unë nuk do ta harroj asnjëherë vështrimin e saj kur me ose pa dashje u vura në vëmendje për shkak të një pyetje të “hidhur” që bëra. Të gjithë më panë, por vetëm sytë e saj më panë me miratim. U kujtova kush ishte dhe iu ngjita disi. Më vonë punuam bashkë, u bëmë miq dhe nuk mund të thuhet saktësisht se kur u kalua miqësia. Ne takoheshim vazhdimisht për projektet gjatë kohës së Luftës së Kosovës”, tregoi Topi.

“Në kohën e luftës ka bërë disa surpriza të çuditshme. Ne komunikonim shpesh në telefon bashkë, por në atë kohë avionë nuk kishte, mund të lëvizje vetëm me avionë luftarakë. Edi në atë kohë shoqëronte lëvizjet e UÇK në Evropë dhe komunikonim. Kishim komunikuar në darkë dhe në mëngjes e kam parë në hollin e hotelit. Ka pasur surpriza gjithë kohën në lidhjen tonë, dhe ka edhe sot. U imponua si një mik i mirë dhe si person i surprizave. Një gjë shumë e rëndësishme që na bashkon janë prioritetet tona. Të dy kemi pasur prioritet fëmijët, ne themi gjithmonë kemi tre vajza dhe për fat të mirë edhe vajzat me njëra-tjetrën kuptohen shumë mirë”, shtoi Oktrova.

Gjatë emisionit ata po ashtu folën edhe për edicionin e 6-të të festivalit të filmit “Dea open air”.

“Nga pikëpamja kualitative prezenca e kinemasë shqiptare është në nivelet e saj më të larta, por në përmasat sasiore nuk është në nivelin e duhur. Ata që kanë “zërin” në kinemanë shqiptare sot ishin prezentë, por ka ende gjëra për t’u bërë. Ne bëjmë maksimumin për produktin që ofrojmë dhe kush është i interesuar e merr”, tha Topi.

“Gjithmonë në fokus të festivalit ka qenë kinemaja shqiptare. Fokusi ynë është tek programi sepse i kemi vënë vetes për mision të bëhemi pjesë e procesit të riedukimit për të shijuar kinemanë”, tha Oktrova./tvklan.al