Dila ka lindur në një fshat të thellë malor në Lezhë në një familje të madhe me 3 vëllezër e 2 motra. Ajo kujton në  “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan jetën e vështirë të fshatit, nënën që i dërgonte fëmijët në shkollë duke i mbajtur në shpinë sepse rruga zgjaste një orë në këmbë. Këtë realitet Dila do ta jetonte edhe vetë pas martesës kur nga bjeshka shkoi në bjeshkë dhe u bë nënë e 4 vajzave.

Vajza e madhe dëshironte shumë të shkollohej dhe mundësia e vetme ishte që të qëndronte te vëllai i vogël i Dilës, shtëpia e të cilit ndodhej më afër me shkollën ku qëndroi për tre vjet. E njëjta gjë u përsërit edhe me vajzën e dytë. Për t’iu ofruar një mundësi më të mirë fëmijëve, Dila dhe bashkëshorti u shpërngulën në një shtëpi me qira në Vaun e Dejës, ndërsa vajza e madhe u zhvendos në Tiranë ku e përballonte e vetme jetesën.

Për Dilën nuk ishte e lehtë të përballonte qiranë, bashkëshorti kishte mbetur pa punë ndërsa vajza e madhe pësoi një incident dhe theu këmbën. Dila kishte mbetur në një situatë ku ndihej e pashpresë dhe e pamundur për të bërë diçka dhe vendosi të shkonte pranë një liqeni.

Dila: Erdhi një moment, nuk e di, bllokohesh, nuk do të jetosh se iku e kur u çua me paterica, s’isha e aftë ta ndihmoja, u bllokova dhe kam ardhur avash-avash, i kam menduar të gjitha mendimet që kisha vuajtur dhe thashë nuk jam e aftë ta ndihmoj, mos të shoh më, s’mund të duroj më. Avash-avash shkova afër një liqeni po duke qarë aq shumë sa nuk e ke idenë. Isha mbushur. Papritur më ra zilja e telefonit.  Kur shikoj, Artur Ndreu se ashtu e kam. U mundova ta ndalja atë zërin që mos ta kuptonte. Tha “çfarë ke motrushe”, i thashë asgjë. “Jo, unë e di që diçka e ke ti”, tha. i thashë jo more vëlla po hallet kështu, tha “ah moj motër, mos rri duke u mërzitur e duke u stresuar, futi një vallëzim trurit”. Në moment kam qeshur, aq shumë qava por në moment kam qeshur. Nga vështrimi i atij liqenit që isha, e ktheva kokën gjatë rrugës nga shtëpia, duke folur, filloi duke më treguar se çfarë ka bërë se unë nuk e dija, ai kishte ndihmuar edhe të tjerë. “Ti je gjëja më e vogël për të të ndihmuar, sa  të më kesh mua mos e vrit mendjen hiç fare”,  tha. Mirë fillova duke qeshur, thashë ky është engjëll mbrojtës për mua.

Ardit Gjebrea: Vajzat e dinë këtë histori apo e dëgjojnë sot për herë të parë? 

Dila: Për herë të  parë por unë dua t’u kërkoj falje sepse po mos të ky vëlla për të më thirrur, ato ishin…

Ardit Gjebrea: Do kishte ndodhur hataja.

Dila: Po. E falenderoj Zotin që ma ka falur, unë i kam edhe ata dy vëllezërit e tjerë, të martuar janë, edhe ata komunikojnë me mua por kanë hallet e veta, punët e veta po y, sikur e kam rënduar shumë, kaq shumë e kam rënduar sa kam frikë ta thërras pa më thirrur ai që të vijë e të më ndihmojë./tvklan.al