Në emisionin “Historia ime” ka qenë e ftuar Elsa Dhako, 30 vjeç, nga qyteti i Pogradecit nënë e tre fëmijëve, përkatësisht 11, 7 dhe 5 vjeç. Ajo ka rrëfyer se ka pasur një jetë të vështirë. Problemet e saj kanë nisur herët.  Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, për të mos jetuar më rrugëve, e ëma e martoi qëkur ishte 13 vjeçe.  Nga martesa e parë ka një djalë 13 vjeç. Dy fëmijët e tjerë(vajzat) i ka lindur më vonë, jo me bashkëshortin e parë.

Martesa e parë nuk shkoi mirë dhe nuk zgjati shumë. Më pas,  Elsa filloi punë si kameriere. Ndërkohë që punonte kameriere, ra në shoqëri të keqe dhe për të rritur fëmijët u detyrua të shiste trupin e saj. Një mikesha e saj, e ndihmoi të hiqte dorë nga rruga e gabuar në të cilën ishte futur. Para 3 viteve, u martua sërish me bashkëshortin të cilin është edhe sot.

Sërish në kushte varfërie, rrugëve me fëmijët e saj, ajo pranoi të martohej me mblesëri me këtë bashkëshort edhe pse ai ka probleme të shëndetit mendor.

Pranoi, sepse i erdhi keq për të dhe vendosi të kujdesej për të, por edhe sepse ai kishte një shtëpi ku Elsa dhe fëmijët e saj mund të fusnin kokën.

Tashmë Elsa nuk punon, kujdeset për fëmijët dhe bashkëshortin. Banesa në të cilën jetojnë ka kushte të vështira. Përveçse kur bie shi, pikon tavani, në kuzhinë nuk kanë dritare. Kërkesa e Elsës është vetëm vendosja e një dritareje në kuzhinë në mënyrë që fëmijët e saj të mos kenë ftohtë.

Mirela Milori: Ke 1 vit që je shkëputur nga ajo rrugë me 3 fëmijë. Si erdhi momenti që the boll, çfarë ndodhi?

Elsa Dhamo: Unë kam një shoqe që e quajnë Drita, ka 8 fëmijë, ajo ma ka mbajtur afër si nënë dhe e dua si nënë. Ia di për faleminderit se më ka njohur me bashkëshortin.

Mirela Milori: Ti ke nisur jetën me një burrë për të cilin thua që ia di për faleminderit, unë e vlerësoj edhe ne e vlerësojmë sepse të ka marrë nga një situatë shumë e vështirë. Ti thua se vuan nga një sëmundje mendore, nga se vuan?

Elsa Dhamo: Kur ka lindur e kanë prekur në mendje më ka thënë vjehrra. I thashë nuk ka problem, do i bëj hyzmet mjafton që më pranoni dhe të kemi një çati mbi kokë që të rriten fëmijët. Mos rriten me një njollë të mbetur nga nëna, por të rriten me njerëz të mirë, të kenë sy e faqe. Të dyja vajzave i ka dhënë atësinë.

Mirela Milori: Sa vjeç janë vajzat?

Elsa Dhamo: Njëra është 7 vjeç dhe e vogla 5. Burri nuk punon ka vetëm pension 100 mijë lekë dhe nuk na dalin.

Mirela Milori: Punon ti?

Elsa Dhamo: Jo nuk punoj. Vjehrra është e ndarë ligjërisht nga ne por na ndihmon se i vjen keq për evlatin e saj, mi do vajzat shumë dhe mbesat i thërrasin asaj gjyshe. Kur iu luta dajovicës sime (nuses së dajës)  më ka dhënë një batanije dhe më ka thënë që të fle tek gjoli, por unë tek gjoli nuk mund të flija sepse isha femër. Më pas ka dalë vjehrra e ma tha që do të të mbaj në shtëpi si vajzën time.

Mirela Milori: Si është ambienti ku ti jeton?

Elsa Dhamo: Aty ku jetoj unë, nuk hyhet fare, nuk ka asnjë divan, asnjë dritare asgjë. Pa drita jam. Rrimë në errësirë.

Mirela Milori: Ti kërkon një dritare.

Elsa Dhamo: Një dritare dua tek kuzhina, nuk dua asgjë. Shtëpia mban lagështi. Kam kërkuar punë, por nuk më pranojnë ./tvklan.al