“Nuk e di ku janë tre vajzat e mia, nuk kam pasur fare kontakt, qe kur më ndanë prej tyre. I kërkoj shtetit që të mi kthejë, ato kanë nevojë për mua”. Kjo grua është vetëm një prej qindra familjeve ujgure në rajonin e Xinjiangit në Kinën Perëndimore, që është në kërkim të fëmijëve.

Përmes metodave të ndryshme, autoritetet po i ndajnë ata nga prindërit në mënyrë që të mos trashëgohet gjuha dhe besimi fetar. Prindërit mbahen në kampe të posaçme, edhe pse ndaj tyre nuk ka një akuzë konkrete, ndërsa fëmijët pretendohet se janë marrë nën kujdes nga institucionet. Po myslimanët ujgurë thonë se thjesht i kanë ndarë pa asnjë arsye.

Familjet ujgure thonë se kanë dokumente dhe dëshmi që disa fëmijë janë në jetimore, të tjerë janë birësuar, por sipas tyre dhjetëra të mitur rezultojnë të zhdukur. Sipas asaj që shkruan BBC, në qendrat ku mbahen fëmijët ka pasur tortura dhe keqtrajtime.

Autoritetet kineze shprehen se ujgurët po edukohen në qendrat e formimit profesional në mënyrë që të luftohet ekstremizmi i dhunshëm fetar. Por Organizatat ndërkombëtare theksojnë se Peikini po shkel të drejtat e njeriut me këtë ndarje që po u bën familjeve ujgure. Në Kinë jetojnë më shumë se 20 milionë myslimanë. Dy grupet më të mëdha janë minoritete hui dhe ujgurët, me nga rreth dhjetë milionë individë. Ujgurët nuk kanë me kinezët as lidhje etnike as kulturore.

Klan Plus