“Nuk e kisha menduar që do kthehej me arkivol ditën që duhej të kishte filluar shkollën”

“Nuk e kisha menduar që do kthehej me arkivol ditën që duhej të kishte filluar shkollën”

19:13 26/09/2019

Prezantuesja tregon lidhjen e ngushtë me Elonën dhe dhimbjen që i la pas familjes

Vetëm dy vite më parë, prezantuesja Saranda Hoda ose Sasa siç e njohin të gjithë, ka rrëfyer në emisionin “Rudina” historinë e saj dhe luftën e madhe që po kalonte me sëmundjen e rrallë të quajtur Hemangioma. Por sot ajo ishte në studio për të folur për historinë e dhimbshme të Elonës, së cilës i kishte qëndruar pranë. Gjatë emisionit Sasa tregoi se familja e saj kishte rënë në kontakt me të pas daljes së saj në emisionin “Rudina” dhe që prej asaj kohe nuk i kanë ndërprerë më kontaktet.

“Elona ka rënë në kontakt me mua nëpërmjet emisionit tuaj. Elona bashkë me nënën e saj kanë ardhur në Televizionin Klan, kanë kërkuar numrin tim të telefonit. Më ka marrë në telefon nëna e Elonës dhe më kanë thënë nëse mundesha t’i ndihmoja. Më nisën fotot e saj dhe pashë që gjysma e trupit të saj ishte e mbuluar me Hemangiomë. Kam qenë me plagë të hapura, por u nisa drejt saj dhe kur e pashë filloi të qajë shumë. Më parë i kishte thënë nënës së saj mos shpenzoni para kot për mua sepse nuk do të gjej shërim, por kur më pa mua më pa si shpëtimin e saj. U lidha shumë me të, ishim bashkë në Beograd dhe mjeku më tha që pa mbushur 17 vjeç nuk mund ta fusim në operacion. Lutesha që Elonës të mos i ndodhte hemorragjia e brendshme që më ndodhi mua, por pikërisht ajo që kisha frikë më shumë ndodhi. Elona pësoi hemorragji të brendshme, por unë nuk doja të hapja panik tek ajo dhe familjarët e saj, i druhesha gjendjes së komës. Elona ishte shumë e fortë, kishte shumë shpresa dhe bënte plane”, tregoi Sasa.

Ajo gjithashtu kritikoi vonesat e shtetit për të marrë masa ndërkohë që nëna e saj kishte kërkuar ndihmë prej kohësh. Sasa tregon se i ka dhënë shumë kurajë Elonës, e cila e shihte atë si shembull dhe besonte fort se do ia dilte.

“Nuk e kuptoj përse shteti është dashur të presë aq gjatë, kur nëna e Elonës ka kërkuar ndihmë edhe para dy viteve dhe në vazhdimësi. Dokumentet e saj kanë qenë të zhdukura diku nëpër ministri, e s’di ku kanë mbetur. Kur gazetari Erjon Skënderaj e ka bërë publike, vetëm atëherë e kanë marrë seriozisht. Elonën e ka penalizuar operacioni që ka bërë në Shqipëri. Mjekët në Turqi thanë që hemorragjia mund të ishte ndaluar edhe pa ia hequr vezoret. Kjo sëmundje është shumë e rrallë dhe shumë pak njerëz munden t’ia dalin mbanë. Ndaj kam dashur që historinë time që njerëzit të informohen. U lidha shumë me Elonën, kur e shihja në sy më dukej sikur kërkonte shpresë. Edhe pse shpresat nga mjekët nuk ishin aq të mëdha, unë mendoja se do ia dilte. Nuk e kisha menduar që do të kthehej nga Turqia me arkivol pikërisht ditën që duhej të kishte filluar shkollën”, shtoi ajo.

Siç tregon Sasa e përlotur, ditën që është përcjellë për në banesën e fundit Elona nëna e saj i kishte kërkuar falje që e kishte vënë në gjumë pa bukë dhe e kishte çuar në shkollë pa bukë.

“Ka qenë shumë e trishtë dita kur kemi qenë në shtëpinë e Elonës, nuk kishte asgjë për të thënë. Ndihesha në faj sepse e kam kaluar vetë dhe s’ishte e drejtë të humbte në këtë betejë. Unë i kisha dhënë shumë shpresa që do ia dilte, ajo ishte shumë e fortë. Ajo më tregonte për historinë e saj dhe e kishte kompleks që ishin në atë gjendje ekonomike. Kur edhi në shtëpinë time nëna e saj më tha: “Është hera e parë që Elona fle në një krevat ashtu siç duhet të jetë”. Ëndrra e saj ishte të kishte një shtëpi të mirë. Unë i kisha premtuar që kur të shërohej do dilja në media dhe do kërkoja ndihmë që të kishte një shtëpi. Më vjen keq për të që nuk pati një fëmijëri ashtu siç duhej ta kishte. Ditën që nëna e saj e ka përcjellë për në varreza i ka thënë: “Ma bëj hallall që të kam vënë në gjumë pa bukë e të kam çuar në shkollë pa bukë”. Kjo më ka prekur shumë. Kur më ftuat në emision nëna e saj më tha të mos vija sepse e dinte që e kam përjetuar keq këtë ngjarje. Por unë i thashë do shkoj sepse i kisha premtuar Elonës që do të vija, që motrat e saj do jenë të lumtura, do kenë një fëmijëri të lumtur si gjithë të tjerët sepse meritojnë të kenë shtëpi dhe bukë për të ngrënë. Përpara se të binte në koma Elona kishte parë një ëndërr të keqe dhe e kishte ndjerë ndoshta që s’do kishte më jetë. Kishte parë në ëndërr sikur shtëpia e saj ishte mbushur me gjarpërinj dhe e kishin kafshuar. Kishte lënë edhe një video me foto të familjarëve dhe me një këngë që në tekst thoshte ajo vdiq dhe ia kishte dhënë nënës së saj dhe i kish thënë merre se nuk do ta kërkoj më asnjëherë telefonin. Kishte folur me të dhe i kishte thënë gjithashtu që nëse ndodh ndonjë gjë e keqe të mos mërzitesh, të mos pinte cigare”, tregoi Sasa. /tvklan.al

LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori