Jemi në Tiranë, ku Tefik Seferi është invalid i grupit të parë, por nuk përfiton kujdestarinë. Tefiku tregon se në vitin 1993 është djegur në Metalurgjikun e Elbasanit dhe ka mbetur pa gjymtyrë.

Në 1994-ën ka qenë përfitues i kempit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por pagesë për shërbim nuk ka marrë asnjëherë. Prej 25 vitesh del në rrugë për të fituar ndonjë lek për qiranë. Ai jeton me gruan dhe një fëmijë të sëmurë.

Megjithëse në kushte të vështira, Tefiku merr pagesën e kempit dhe karburantin, por nuk përfiton kujdestarinë, edhe pse është përcaktuar invalid i grupit të parë.

Tefik Seferi: Jam pa këmbë, pa duar. I kam humbur të gjitha gjymtyrët. Edhe kjo (dora) nuk punon, e ka djegur korrenti. Ka 25 vite që dal në rrugë të Tiranës, që të marr diçka që të paguaj qiranë e shtëpisë dhe ilaçet. Unë jetoj me gruan dhe kam edhe një fëmijë të sëmurë. Kam pasur edhe një fëmijë të sëmurë tjetër që vdiq. Kam pasur edhe një tjetër alpinist dhe çiklist. Më vdiq edhe ai, është mbytur tek shpella e Pëllumbave. Nuk e pashë askund, as kufomën dhe as në varr…Si pagesa, aktualisht marr kempin dhe karburantin dhe 33-shin që më kanë lidhur në Tiranë në muajin Prill të vitit 2019. Por këtë pagesë unë duhej ta kisha marrë që në vitin 2004, por më kanë thënë nuk të takon këtu, por shko merre në Elbasan.

Gazetarja: Ti aktualisht ke kujdestari?

Tefik Seferi: Jo. Nuk marr kujdestari. Aktualisht kujdeset çuni im, por thotë do të të lë sepse do të marr ndonjë punë të punoj, ti s’më jep gjë mua. Është shumë e vështirë të qëndrosh në rrugë, ditëve me shi e me diell. Jam si i salduar. Nuk është jetë kjo. Nga emisioni “Stop” dua që ishalla, të rregullohet, t’i marr (ato që më takojnë).

“Stop” u interesua pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe rezulton se me vendim të Komisionit Mjeko-Ligjor Elbasan, personi është vlerësuar si invalid i plotë me përkujdesje.

Masa e pensionit ka ndryshuar nga 1 210 lekë në 1 370 lekë në muaj në vitet ’93-94 në 17 650 lekë sot.

Për sa i përket ankesës së Seferit për kujdestarinë, na është thënë se shtesë tjetër për këtë kujdestari jepen nga paketat që ofron Shërbimi Social Shtetëror, ku pagesa është shumë më e lartë.

Në këto kushte rekomandohet që Tefiku të aplikojë pranë Shërbimit Social, ku pagesa është shumë më e lartë. /tvklan.al