“Stop” solli sonte në vëmendje një ngjarje shumë të rëndë, të ndodhur në 2 Janar 2019. Atë ditë 34-vjeçari Gazment Musta, në gjendje të dehur, vrau me thikë gruan 31 vjeç dhe kunatën 18 vjeç, pas një debati banal, ku bashkëshortja po i kërkonte të shkonte tek prindërit e saj. E gjithë tragjedia u konsumua në sy të dy fëmijëve të vegjël.

Avokatja e familjes së viktimave, Margarita Kola, tregon se ky proces po zgjatet pa fund dhe ka dy vite, që nuk jepet vendimi për 34-vjeçarin Gazment Musta.

“Nga gjithë seancat që unë kam marrë pjesë ka qenë vetëm dy herë i pranishëm. Në seancat e tjera nuk ka marrë pjesë dhe po të them që nuk ka aspak pendesë. Dua të them që e kam konstatuar këtë dhe këtë e them e zhveshur nga pala që unë mbroj, por si një qytetare më ka shkaktuar një ndjenjë rebelimi brenda vetes sepse jo vetëm nuk tregonte empati për çfarë kishte kryer, por kam vënë re deri në një fodullëk, deri në një lloj perceptimi që ky kishte të drejtë për atë që kishte bërë”, tha avokatja.

Daja i fëmijëve të autorit ka kërkuar kujdestarinë e mbesës dhe nipit të tij në Gjykatën e Fierit. Po të njëjtën gjë kanë bërë edhe gjyshërit e dy fëmijëve, Bedri dhe Lumturie Musta, prindërit e Gazment Mustës. Palët u paraqitën në gjykatë duke u shoqëruar nga familjarë të tjerë. Në sallë është paraqitur edhe autori i ngjarjes ndërsa seanca asaj kohe është zhvilluar me dyer të mbyllura pa praninë e medias. Gjyqtarja caktoi kujdestarinë e fëmijëve dajës së tyre. Por momentalisht dy fëmijët janë në fshatin SOS, për shkak të procedurave. Vajza 11-vjeçare ka shprehur që ndihet e sigurt dhe mirë në këtë fshat dhe do të lëvizë në momentin kur të jetë gati.

Stop investigoi se si ka ecur procesi penal në lidhje me këtë vrasje makabre që ndodhi përpara dy vitesh. Sipas avokates në mënyrë të qëllimtë në gjyq janë kërkuar disa dëshmitarë, që nuk kanë lidhje fare me ngjarjen.

“Ka qenë Prokuroria e Krimeve të Rënda kur ka nisur dhe pastaj me ndryshimet ligjore prej reformës, prokurori ia ka çuar për gjykim Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe pas asaj në atë moment janë bërë ndryshimet ligjore dhe ia kanë kaluar gjykatës normale dhe i kaloi kompetenca Gjykatës së fierit. Nga momenti që Gjykata e Fierit e ka marrë në dorë, deri tani jemi 1 vit për arsye sepse gjatë shqyrtimit gjyqësor në Fier kanë gjetur që gjykata kishte marrë një vendim për të pyetur dëshmitarë. Ka qenë seanca e parë që i jam bashkëngjitur çështjes që gjykata kishte marrë më parë vendimin për t’i pyetur dëshmitarët dhe atë ditë thirreshin dëshmitarët. Duke u konsultuar me dosjen pashë që 3 ose 4 seanca para kësaj ishin shtyrë sepse dëshmitarët nuk vinin. Edhe ishin kërkuar nga pala e pandehur dhe nuk vinin. Ishin kërkuar për shembull furrtari, ai që pjek bukën në zonën ku ishte i pandehuri, ose shoferi i taksisë. Kam refuzuar, duke parë pyetjet që bënte pala e pandehur kam refuzuar pyetjet sepse ishin me karakter orientues dhe këta as nuk kishin parë gjë sepse e dimë që dëshmitarë okularë kanë qenë fëmijët. Ata e kanë parë dhe e kanë vuajtur ngjarjen. Këta nuk ishin asnjë vlerë për t’u pyetur dhe pas kërkesës sonë për t’u refuzuar pyetjet pala tjetër heq dorë me pyetjet e dëshmitarëve dhe gjykata merr vendimin mos të pyeten dëshmitarë të tjerë”, tha avokatja.  

Daja i fëmijëve thotë se autori ka pranuar krimin dhe nuk është e drejtë që zgjatet procesi gjyqësor.

Gjyshmir Caushaj: Ne i jemi drejtuar emisionit “Stop” për një problem që kemi, që na ka ndodhur një fatkeqësi në 2 Janar të vitit 2019. Kemi humbur dy motrat edhe nga momenti, që kemi humbur dy motrat kemi dy vjet e dy muaj akoma në Gjykatë e Prokurori, nuk kemi mbaruar çështjet. Nuk ka përse të thërrasë, gjykata të thërrasë për shembull dëshmitarë me radhë, njëri pas tjetrit, duke ditur, që krimi është pranuar, autori është kapur, faktet janë të mbledhura, nuk ka arsye, tani janë thërritur për shembull dëshmitarët, që janë njëri është taksixhi, tjetri është dyqanxhi, tjetri është udhëtar, nuk ka si, çfarë dëshmie do japë ai?! Nuk ka justifikim për këtë pjesë, sidomos tani për palën tonë, nuk është normale tani, që të shkojmë përsëri, të shkojmë dy vjet e dy muaj, sërish tani të shkojmë nëpër gjyqe. Përse, nuk ka arsye, tani unë ato lekë, apo familja ime ato lekë të shkojë t’i japë gjykatës, apo avokatit, rrugë e shumë gjëra të tjera. Ne ato lekë mund t’ia japim nipit dhe mbesës, që ndodhen në fshatin “SOS”. Mund të hapim një numër llogarie dhe ua jap atyre. Përse duhet t’i humbas këto lekë? Përse duhet të humbas si nga ana ekonomike po shkatërrohemi, si nga ana psikologjike, si nga ana shpirtërore, nuk ka arsye. Ne, nga momenti, që na vijnë fletë-thirrje nga gjykata, në lidhje për shumë seanca gjyqësore, që janë bërë dhe po bëhen, prindërit e mi bashkë edhe unë, nuk ndjehemi mirë, nga momenti, që vijnë shpeshherë fletë-thirrje, përse, nuk ka arsye. Pse duhet të vejë babai apo nëna ime, apo unë, apo kushdo qoftë të vejë atje? Për çfarë? Kush është arsyeja? Nga momenti, që faktin vetë autori e ka pranuar, që e ka bërë, tani s’kemi, pse të shkojmë, çfarë dëshmie duhet të japim neve, ose çfarë duhet të japë dëshmitari, që vete atje?/tvklan.al