Emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi sonte abuzimet në Zyrën Arsimore në Peshkopi, ku ndër të tjera u evidentua se mësuesi i shkollës në fshatin Selishtë, Avni Delishi, është larguar për në Londër që në muajin Mars po vijon të paguhet.

Gazetari i emisionit “Stop”, Genci Angjellari, ka pyetur financieren e Zyrës Arsimore për këtë problematikë, e cila i tha se drejtori i larguar në Angli është paguar pasi ka zhvilluar mësimin online nga Londra.

Gazetari: Ne interesohemi në lidhje për dy problematika ktu, por njëra na duhet financa. Kemi të dhëna, që një drejtor i shkollës Selishtë, i shkollës 9-vjeçare, zoti Avdi Delishi, na figuron nëpërmjet sistemit TIM-s, që jeton në Angli, që në mars dhe unë kam listë-pagesat këtu, që është paguar si drejtor.Si ka mundësi, një drejtor, ose një person, që nuk është në një punë, të paguhet? Dhe si ka firmosur listë-prezencat e mësuesve të shkollës, që drejton? Sepse muaj për muaj, mesa di unë, bëhen listë-prezenca. Më kupton? Duhet firma e drejtorit!

Financierja ZVA, Dibër: Për këtë, për çdo problem, që mund të keni, jo vetëm për këtë, por dhe për probleme të tjera, që mund të keni, do na bëni një kërkesë!

Gazetari: Jo,s’mund ta anashkaloni zonjë me atë çfarë të dha instruksione drejtoresha, sepse ne kemi ardhë nga Tirana, jemi profil investigativ, nuk jemi njëë…,e dimë mënyrën e kërkesës, për të anashkaluar.

Financierja ZVA, Dibër: Kërkesën, që ne të pregatitemi!

Gazetari: Po jo, s’ka pregatitje, a është..?

Financierja ZVA, Dibër: Kërkesën me shkrim ma le aty, ose çoja atje!

Gazetari: Zonjë! Ajo është, ça të kërkoj. Unë i kam…

Financierja ZVA, Dibër: Mirë! Kërkoje dhe hajde mbas nja 10 minutash, të të kthej përgjigje!

Gazetari: Ok! Mirë!

Financierja ZVA, Dibër: Është larguar nga puna.

Gazetari: Po, në Korrik.

Financierja ZVA, Dibër: Ka figuruar, sepse ka qënë, ka punuar online në Angli, në Gjermani, a në Angli, nuk e di, se ku ka qenë ky.

Gazetari: Ka punuar online?

Financierja ZVA, Dibër: Ka punuar online, si gjithë të tjerët.

Gazetari: Po si i ka firmos listë-pagesat?

Financierja ZVA, Dibër: Jo ,nuk i ka firmos listë-pagesat. Cdo gjë, që ka qënë e rregullt, ne financat nuk i kalojmë, jemi shumë të saktë dhe shumë të rregullt në veprimet, që ne bëjmë.

Gazetari: Nuk mund të paguhet dikush, që s’është! A më kupton?

Financierja ZVA, Dibër: Ka qenë online, online.

Gazetari: Zonjë! Nuk funksionon online.

Financierja ZVA, Dibër: Online dhe çdo gjë me porosi dhe…

Gazetari: Sidomos drejtues institucioni.

Financierja ZVA, Dibër: Çdo gjë me porosi dhe çdokush ka qenë.

Gazetari: Unë e di, pse funksionon kështu ëë…, hyn politika në mes, hyjnë dhe kushërinjtë…

Por, vetë drejtori z.Avni Delishi ka dhënë një tjetër version. Në një komunikim telefonik me të, ai ka sqaruar se ka qenë me leje dhe më pas ka dhënë dorëheqjen në muajin Korrik, 4 muaj pasi i kalonte rroga edhe pse nuk ishte në punë.

Drejtori, Avni Delishi: Unë i kam bërë gjërat, siç është për të bërë:dokumentacionet, lejen, çdo gjë. Kështu që, tani nuk jam në detyrë më si drejtor dhe nuk besoj se ka…Kam marrë leje edhe pastaj kam bërë dorëheqjen edhe kshu që jam okej me pjesët e mia.

Emisioni “Stop” ka mësuar se në muajin Nëntor 2019 dhe Janar 2020 nga Ministria e Arsimit janë zhvilluar dy konkurse për vendin e drejtorit të Zyrës Arsimore Dibër, ku ka marrë pjesë edhe znj. Brikena Dani, e cila është aktualisht drejtuese e komanduar e kësaj Zyre Arsimore. Por znj.Dani nuk ka fituar dhe nuk ka kaluar asnjë nga këto dy konkurse.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, nuk ka bërë transparente rezultatet e këtyre dy konkurseve për Dibrën. Drejtori i përgjithshëm i sistemit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Selim Hodaj, i pyetur nga gazetari i “Stop” për problematikën në Zyrën Arsimore Dibër, çuditërisht tha se nuk është në dijeni të kësaj situate.

Dr i parauniversitarit, Selim Hodaj: Po unë tani po e dëgjoj këtë, që po më thoni ju, këtë shqetësim. Të lutem bëni kërkesë te Drejtoria Rajonale Durrës! Duhet t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale të Durrësit! Unë po e mbaj shënim si rast edhe mund të vini këtu, të merrni informacion një ditë, kur ta keni të mundur”.

/tvklan.al