Vendimin për të mos kandiduar në Vlorë të kryeministrit Edi Rama, kryedemokrati Sali Berisha e sheh si vendim të qytetarëve të qytetarit bregdetar.
“Njëherë t’u përgëzoj ju që e përzutë Edi Ramën dhe nuk guxoi të kandidojë më në Vlorë dhe kjo është një fitore e moralit tuaj. Është një fitore morale. Çfarë bëri ai? A e dini ju o miq se me tunelin e Llogarasë ia mbylli sytë qafës më të bukur që ka Shqipëria për të marrë 50-60 milionë euro me Lubi Ballukun dhe tani ndërton rrugën për t’i falimentuar të gjitha bizneset e parkut të Llogarasë”, tha Berisha.
Ai premtoi se që në tre muajt e para të qeverisjes së tij, nëse vjen në pushtet, do të përmbysë situatën dhe nuk do të ketë më mjerim për shqiptarët.
“Ju jap fjalën se në 3 muajt e parë kjo situatë përmbyset, shqiptarë në mjerim nuk do të ketë më. Çdo shqiptar do marrë 200 Euro, nuk do ketë rrogë minimale nën 500 Euro. Nuk do të ketë rrogë mesatare nën 1200 euro, mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro. Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe për mbështetjen e tyre”, tha Berisha.
Sipas tij, paketa e dhembshurisë do ta ngrejë vendin në lartësinë e idealeve të tij./tvklan.al