Emisioni “Stop” trajtoi mbrëmjen e kësaj të enjte rastin e dy kushërinjve Vrapi të cilët janë mashtruar nga një grua për punësim në Gjermani.

Ata kanë paguar një shumë të konsiderueshme parash tek Verjana Gega me premtimin se do u jepej një kontratë pune në shtetin gjerman, por që prej 2018-ës asgjë nuk është realizuar. Ata deklaruan se ndryshe nga çfarë u ishte premtuar, Gega nuk ua ka kthyer paratë.

Dy kushërinjtë e mashtruar bashkë me gazetarin e “Stop” u drejtuan në Krimin Ekonomik, ku bënë kallëzim për Verjana Gegën. Gazetari i emisionit “Stop” pati edhe një komunikim me të në telefon, për shkak, se takimi fizik ka qenë i pamundur.

Verjana Gega: Do i takoj vetë të dy çunat, të lutem!

Gazetari: Do i ktheni paratë, e nderuar?

Verjana Gega: Patjetër, që po!

Gazetari: Po pse nuk ia keni kthyer deri më tani?

Verjana Gega: Të lutem, do të flas me të dy personat.

Gazetari: Ju i keni mashtruar ata?

Verjana Gega: Absolutisht, fare! Jo, jo! Për këtë mbaj përgjegjësi të plotë!

Gazetari: Ka, që prej vitit 2018 e deri më sot, që…

Verjana Gega: Jo, absolutisht fare! Do të jem në komunikim me ata.

Gazetari: Unë kam bisedat tuaja zanore, por edhe ato me shkrim, ku ju i keni mashtruar haptazi.

Verjana Gega: Absolutisht, fare! Të thashë edhe njëherë, që do të jem në komunikim të drejtpërdrejtë me ata të dy.

Gazetari: Për ju, ndërkohë, ka edhe një kallëzim te Krimi Ekonomik dhe mbetet detyrë e përgjegjësi e këtij sektori, për t’u marrë me çështjen tuaj.

Verjana Gega: Nga kush?

Gazetari: Nga Krimi Ekonomik, pra!

Gazetari: Do ia ktheni paratë? Ekzistojnë prova, ku ju u premtoni, se do ua ktheni dhe kjo është e shkruar në faturën tatimore.

Verjana Gega: Absolutisht, po!

Gazetari: Ju jeni administratore e “Perla Agency”, apo ky është një subjekt i mbyllur?

Verjana Gega: Është i mbyllur aktualisht.

Gazetari: Po ndërkohë, çfarë kompetencash ka patur, lidhur me këto shërbime? Pra…

Verjana Gega: Të lutem, nëse doni, mund të takohemi një ditë, sepse për momentin nuk mund të flas dot!

Gazetari: Shpresoj, që ju t’i zgjidhni sa më parë djemtë! Dakord?

Verjana Gega: Faleminderit!

Ajo vazhdoi të premtojë kthimin e parave, madje duke thënë, se i ka kaluar në bankë, por në realitet asgjë nuk është bërë. Pas shumë ditëve dhe justifikimeve të saj, ka kaluar vetëm 2000 euro dhe nuk dihet, se kur do ua japë edhe pjesën e mbetur.

“Nga dita në ditë, prit se i kam kaluar, ke dhënë kodin gabim, për shkak të kodit ke bërë pengesa. Sot ka kaluar vetëm dy mijë Euro, pjesën tjetër akoma jo. Nuk e di pse nuk kanë kaluar tha ajo. Do flas me ato të bankës tha ajo. I kam thënë pa i kaluar nuk do i tërheq. Presim, por besë shumë nuk i ke asaj”, thanë të rinjtë./tvklan.al