Kryeministri Edi Rama nuk e mohon që pas deklaratave të tij për burrat, sidomos për ata demokratë, ka marrë shumë mesazhe. Por për të më shumë rëndësi kanë fakte.
Gjatë një takimi me gratë dhe vajzat në Korçë ai tha se nëse burrat ikin nga Partia Socialiste se pse po lavdërohen gratë, nuk kanë ç’i duhen partisë së tij.
Por ajo që nuk i duhen fare PS-së, sipas tij, janë ata që “pllaquriten” në kënetë që pavarësisht se mund të jenë të zotë në punën e tyre, për kryesocialistin, janë politikisht çyrykë.
“Doja të ndaja me ju një shqetësim sepse sot posaçërisht kam pasur disa ankesa dhe mesazhe nga ca burra, shokë partie që janë shqetësuar pse unë lavdëroj gratë dhe sipas tyre iu bie burrave. Edhe dikush më shkruante para se të vija këtu, “po ça ke mo burrë i dheut, ti gratë lavdëroji sa të duash, por ne gratë i kemi. Puna është duke i rënë burrave do na ikin burrat”. Nuk e di si mendoni ju, unë personalisht mendoj që ata burra që na ikin se nuk kuptojnë pse gratë duhen lëvduar më shumë, nuk na duhen. E para, e dyta, unë nuk shaj burrat. Jo kurrë. Nuk shaj burrat, unë mendoj kështu.
Sot është fakt që PS në rang vendi e mbështesin 56% e grave dhe e vajzave. Ka qarqe që kjo mbështetje shkon në 65%. Por kjo do të thotë që kur vjen puna te burrat diferenca është shumë më e vogël. Tani unë them që ata burra që njësoj si shumica dërrmuese e grave mbështesin PS janë jo vetëm të zotë në punën e tyre janë edhe mendjehapur dhe të mençur politikisht. Ata burra që rrinë dhe pllaquriten në kënetë, ata mund të jenë shumë të zotë në punën e tyre, por për mua janë çyrykë. Politikisht çyrykë. Nuk u duhen askujt. Nëse mërziten më vjen keq, por unë nuk mërzitem, unë besoj që kjo që PS ka bërë për Shqipërinë në këto vite na jep shumë arsye për të qenë krenarë, por arsyeja për mua për të qenë krenar është që kjo parti ka bërë një detyrë të madhe duke krijuar hapësirat që deri dje gratë ose i kishin shumë të ngushta, ose u mungonin fare”, tha Rama. /tvklan.al