Aksidenti i rëndë që ndodhi në Greqi mbrëmjen e së enjtes, ka tronditur komunitetin e banorëve në Lamia. Një adoleshent 14-vjeçar, Mario Latsu u përplas për vdekje nga një automjet Audi që drejtohej nga një shqiptar 44-vjeçar.

Shtypi grek raportoi më herët se në gjakun e shqiptarit kishte sasi alkooli. Por, 44-vjeçari e ka hedhur poshtë këtë raport. Përmes avokatit të tij, ai ka reaguar duke thënë se nuk ka qenë i dehur.

Ndërkohë, “Star” raporton se janë bërë testet toksikologjike për të përcaktuar nëse ishte nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera në momentin e aksidentit, dhe pritet dalja e rezultateve. Shoferi shqiptar u mor në pyetje nga policia greke dhe aktualisht është lënë i lirë. Ndaj tij do të ngrihet akuzë në varësi të rezultateve të testit të gjakut. Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar rrethanat në të cilat shoferi humbi kontrollin e mjetit dhe përplasi 14-vjeçarin duke i shkaktuar vdekjen.

Nga mbledhja e provave në vendngjarje, policia greke ka thënë se makina përplasi fillimisht një biçikletë dhe më pas adoleshentin që ishte me një biçikletë tjetër. Por nuk u ndal me kaq. Automjeti përplasi edhe një biçikletë të tretë, duke i shkaktuar lëndime të lehta një tjetër adoleshenti.

14-vjeçari Mario u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve. Bashkë me të në momentin e aksidentit ishte edhe vëllai i tij binjak dhe një shok. Banorët kanë thënë për mediat greke se rruga ku ndodhi aksidenti është bërë shpeshherë burim aksidenti për shkak të mungesës së ndriçimit dhe shpejtësisë së lartë të makinave.

Lamtumira e fundit për Marion do të jepet ditën e nesërme.  /tvklan.al